'Kopshti i vishnjeve' hap dyert e TKK-së pas grevës

Kultura September 17, 2018 - 09:57
Image

 

Pas disa ditësh në grevë, këtë të hënë Teatri Kombëtar i Kosovës do t’i hapë dyert për vizitorë. Aktorët e këtij Teatri kanë vendosur të kthehen në skenë pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’ua rritur rrogat punonjësve profesionalë të Teatrit Kombëtar të Kosovës, atyre të Filarmonisë së Kosovës dhe të ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota” për 50 për qind. Ministri i Kulturës, i Rinisë dhe i Sportit i ka siguruar performuesit e artit se që nga data 1 nëntor i këtij viti ata do t’i marrin rrogat me rritje dhe ato do të jenë retroaktive nga qershori i këtij viti, shkruan sot gazeta "Zëri".

Sonte në orën 20:00 do të jepet premierë shfaqja “Kopshti i vishnjeve”, tekst i Anton Çehovit që vjen në TKK nën regjinë e Ilir Bokshit. Premiera, e paraparë të jepej në fillim të muajit më 5 shtator, do të reprizohet dy herë radhazi, më 18 dhe 19 shtator.

“Njoftojmë publikun dhe artdashësit e Teatrit Kombëtar të Kosovës që tashmë është zgjidhur çështja në mes të grevistëve/Trupës Rezidente të TKK-së dhe Ministrisë së Kulturës. Pas përfundimit të grevës nëntëditore Teatri Kombëtar i Kosovës u rikthehet shfaqjeve me program të ri sa i përket datave. Meqë ishim në situatë greve, siç është e ditur, programi i muajit shtator starton prej ditës së hënë, më datë 17 shtator 2018, ku do të jepet premiera e shfaqjes ‘Kopshti i Vishnjeve’ nga Anton Çehov me regji të Ilir Bokshit, duke vazhduar me reprizat më datën 18 dhe 19 shtator. Pastaj repertori vazhdon me shfaqjen ‘Arturo Ui’ në regji të Bekim Lumit, mandej ‘Kaligula’ nga Albert Kamy... duke vazhduar me paraqitje edhe në Festivalin e Teatrove në Tiranë. Shfaqja ‘Bordel Ballkan’ në regji të Andras Urban pas ndryshimit të orarit nuk ka qenë e planifikuar të luhet në repertor të këtij muaji! Shpresojmë në mirëkuptim”, thuhet në njoftimin e Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Me rolet e tyre në shfaqjen “Kopshti i vishnjeve” paraqiten aktorët Shengyl Ismaili, Adrian Morina, Ernest Malazogu, Armend Smajli, Semira Latifi, Qëndresa Jashari, Shpëtim Kastrati, Ylber Bardhi, Vlera Pylla, Besfort Berberi dhe Luan Jaha. Teksti i autorit Anton Çehov është shkruar në vitin 1903 dhe është botuar në vitin 1904 shpërfaq situatën politike, por edhe ekonomike të Rusisë në atë kohë. Ky tekst i cili është shkruar si komedi nga Çehovi, por që është trajtuar si tragjedi nga Konstantin Stanislavski, vazhdon të sjellë duel në mes të regjisorëve të ndryshëm pikërisht për shkak të mënyrës se si ata e trajtojnë atë.

 

Kostumografinë për këtë shfaqje e ka bërë Vesa Kraja, muzikën Art Lokaj, përderisa asistent regjie ishte Butrint Pasha dhe skenografinë e ka përgatitur Petrit Bakalli.

Pas shfaqjes “Kopshti i vishnjeve” në TKK do të reprizohet për herë të parë (të enjten dhe të premten) shfaqja “Arturo Ui” e regjisorit Bekim Lumi.

Rikujtojmë se regjisori i mirënjohur kosovar Bekim Lumi vdiq më 30 korrik të këtij viti pas një përballje me sëmundjen e rëndë të kancerit. “Arturo Ui” ishte shfaqja e fundit që ai realizoi, premiera e së cilës u dha në qershor.

Në anën tjetër, skena e Teatrit Kombëtar të Kosovës më 26 shtator është rezervuar për ansamblin kombëtar të këngëve dhe të valleve “Shota”. Aty do të jepet premierë shfaqja “Kumi”, me regjinë dhe koreografinë e Gjergj Prevazit nga Shqipëria. Deri në fund të muajit në Teatrin Kombëtar të Kosovës do të jepen edhe shfaqjet “Hamleti sipas Horacit” dhe “Si ta vrasim presidentin?”. Zëri