Kultura

'Nëntori i ftohtë' i Sijarinës shfaqet në Cyrih

'Nëntori i ftohtë' i Sijarinës shfaqet në Cyrih
14 shtator 2018 • 10 : 32

Filmi “Nëntori i ftohtë”, i regjisorit Ismet Sijarina, do të jepet premierë në Festivalin e Filmit në Cyrih të Zvicrës. Lajmin e kanë bërë të ditur ekipi i filmit përmes faqeve të tyre zyrtare në mediet sociale. “Jemi shumë të lumtur ta ndajmë lajmin me ju se filmi ynë 'Nëntor i ftohtë' do të jetë në konkurrencë ndërkombëtare në Festivalin e Filmit në Cyrih. Urime gjithë ekipit”, thuhet në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të filmit, shkruan sot gazeta "Zëri".

Tutje bëhet e ditur se filmi do të shfaqet në Cyrih, më datat 1, 2, 5 e 7 tetor 2018 dhe atje do të jenë të pranishëm regjisori Ismet Sijarina e producenti Fatmir Spahiu.

Përveç kësaj, filmi “Nëntori i ftohtë” do të shfaqet edhe në edicionin e 66-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të San Sebastianit. Ky është filmi i parë nga Kosova në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të San Sebastianit, një festival ndërkombëtar tejet i rëndësishëm dhe i kategorisë “A”, ku do të jetë pjesë e konkurrencës zyrtare në seksionin e regjisorëve të rinj.

Filmi “Nëntori i ftohtë” flet për Fadilin (36), një arkivist në një ndërmarrje shtetërore në Kosovë në vitet e ’90-ta, i cili i gjendur në një situatë të vështirë duhet të zgjedhë ndërmjet dy opsioneve, që të dyja të gabuara: vendimi për të qenë patriot ose baba i përgjegjshëm.

Në kastën e vet ky film ka mbledhur njëfarë ajke të aktorëve kosovarë. Adriana Matoshi, Majlinda Kosumoviç, Fatmir Spahiu, Bislim Mucaj, Lum Veseli e Kushtrim Sheremeti paraqiten te “Njeriu i dosjeve” me rolet e tyre. Në anën tjetër, regjisori ka sjellë edhe aktorët e famshëm nga Bosnja, Emir Haxhihafizbegoviç, fitues i “Luanit të Artë” e gjithashtu edhe aktoren Gordana Boban. Zëri

© zëri.info