Artistët ndalin grevën, nga nëntori marrin rrogat me rritje

Kultura September 14, 2018 - 10:25
Image

 

Gjatë ditës së martë në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës është miratuar Koncept-dokumenti për Gradimin dhe për Pagat e Krijuesve e të Performuesve të Kulturës dhe të Punonjësve Profesionalë të Trashëgimisë Kulturore, të cilët për nëntë ditë kanë qenë në grevë duke pezulluar kështu të gjitha aktivitetet e parapara për atë periudhë kohore, shkruan sot gazeta "Zëri".

Si rezultat i aprovimit të kësaj rregulloreje, ministri i Ministrisë së Kulturës, të Rinisë dhe të Sportit, Kujtim Gashi, thirri një konferencë të jashtëzakonshme për medie, për të bërë të dikur zyrtarisht lajmin dhe për të uruar performuesit dhe punëtorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës, të Filarmonisë dhe të ansamblit të valleve dhe të këngëve “Shota” dhe për t’i ftuar ata të ndërprenë grevën dhe t’u kthehen aktiviteteve të planifikuara. Pas një takimi të shkurtër me ministrin Gashi para medieve dolën edhe përfaqësuesit sindikalë të këtyre institucioneve si Besnik Grajçevci, përfaqësues i komitetit artistik të ansamblit “Shota”, Alban Feka, përfaqësues sindikal nga Filarmonia e Kosovës, Shkëlzen Veseli dhe Adrian Morina nga TKK-ja.

Gashi tha se që nga marrja e detyrës si ministër i Kulturës ka qenë shumë i përkushtuar të krijojë e të zhvillojë politika kulturore dhe mekanizma për të bërë promovimin e saj.  “Njërën prej çështjeve më të rëndësishme e kam parë mbështetjen e kapaciteteve njerëzore në fushën e kulturës dhe të trashëgimisë kulturore, sigurimin e një trajtimi të dinjitetshëm dhe meritor për këtë kategori të rëndësishme të shoqërisë sonë, me qëllim të ngritjes së performancës institucionale e pasurimit të jetës kulturore dhe të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore në vendin tonë”, tha në hapjen e kësaj konference ministri Gashi. Tutje ai u shpreh se kjo rregullore jep një zgjidhje në drejtimin të pagave të ulëta të institucioneve të kulturës, të cilat janë identifikuar si pengesë për të zhvilluar artin më tutje. “Rregullorja e miratuar nga Qeveria për Gradimin dhe për Pagat e Krijuesve e të Performuesve të Kulturës dhe të Punonjësve Profesionalë të Trashëgimisë Kulturore adreson dhe jep një zgjidhje të dinjitetshme pagave të ulëta në institucionet e kulturës dhe të trashëgimisë kulturore. Pagat e ulëta janë identifikuar si pengesë e madhe në sigurimin e brezit të ardhshëm të profesionistëve të kësaj fushe”,  tha Gashi ndër të tjera.

Sipas ministrit, me këtë rregullore do të rritet interesimi nga performuesit dhe nga punëtorët e profesionit për t’i angazhuar në këtë fushë dhe për t’i arritur objektivat e përcaktuara në politikat programore për kulturë e trashëgimi kulturore. “Me sigurimin e një page bazë konkurruese me rajonin do të kontribuojmë në konkurrencë dhe në interesim më të madh të punëtorëve profesionistë të kulturës për angazhim në institucionet publike të kulturës dhe të trashëgimisë kulturore”, theksoi ai më tutje.

Pas ministrit fjalën e mori edhe përfaqësuesi sindikal nga këto tri institucione vartëse të Ministrisë së Kulturës, të cilat deri në atë moment kanë qenë në grevë.

Besnik Grajçevci, përfaqësues i komitetit artistik të ansamblit “Shota”, tregoi që ashtu siç është premtuar në ditën e parë të grevës, në momentin që finalizohet ky dokument dhe fillojnë hapat drejt realizmit të qëllimit të përbashkët atëherë greva do të pezullohej, duke bërë thirrje për punë edhe më intensive të për t’i kompensuar ditët e humbura.

Adrian Morina, aktor dhe përfaqësues nga TKK-ja, tha që janë shumë të lumtur, pasi si përfaqësues ata kanë pasur pas vetes edhe 170-180 persona të tjerë dhe e ka cilësuar hyrjen në grevë si të rëndë, po si zgjidhje të fundit të cilën e kanë pasur.  

Në fund ministri i pyetur se kur do të dalin këto paga me rritje, tregoi se afati i fundit është data 1 nëntor i këtij viti dhe ato do të jenë retroaktive nga qershori i këtij viti. Zëri