Shtëpia e Kulturës në Obiliq përfundon sivjet

Kultura September 13, 2018 - 09:25

Ministri i Kulturës, i Rinisë dhe i Sportit, Kujtim Gashi, ka vizituar të mërkurën komunën e Obiliqit. Ministri fillimisht është pritur nga kryetari i Komunës, Xhafer Gashi, i cili e ka shoqëruar për vizitë në Shtëpinë e Kulturës në Obiliq dhe në stadiumin “Agron Rama”.

Gjatë vizitës, në prononcimin për medie, ministri Gashi shprehu kënaqësinë për takimin në Komunën e Obiliqit. Ai tha se ky është takimi i katërt në muajt e fundit me qëllim të koordinimit të aktiviteteve sa i përket investimeve. “Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit është duke investuar në ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në Obiliq, një projekt rreth 750 mijë euro dhe besoj se jemi te faza e fundit e këtij projekti. Sot jam edhe për ta vizituar kryetarin, por edhe për t’i parë nga afër punimet të cilat po zhvillohen në atë objekt”, tha ministri Gashi ndër të tjera. Tutje ai po ashtu foli edhe rreth projektit të të tria fushave ndihmëse, që është njëri prej projekteve kapitale që e financon UEFA. “Është një projekt i përbashkët trepalësh në mes të Ministrisë së Kulturës, të Rinisë dhe të Sportit, të Komunës së Obiliqit dhe të Federatës së Futbollit të Kosovës. Punimet do t’i menaxhojë Federata, kurse financimin do ta bëjë  UEFA. Ministria dhe kryetari kanë qenë jashtëzakonisht të përkushtuar që në afat rekord të sigurojnë edhe hapësirën, edhe parcelën dhe në të njëjtën kohë të mundësojmë këtë  investim i cili do të jetë njëri prej investimeve më të mëdha në komunën e Obiliqit në infrastrukturën sportive dhe natyrisht ky projekt është në kuadër të ngritjes së cilësisë, të avancimit të infrastrukturës sportive në Republikën e Kosovës”, theksoi ministri Gashi.

Ministri Gashi, duke i uruar qytetarët e komunës së Obiliqit për objektin e Shtëpisë së Kulturës, por edhe për tri fushat ndihmëse, shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar edhe për projektet tjera duke theksuar se Ministria e Kulturës do të jetë e interesuar, por në të njëjtën kohë e gatshme për realizimin e të gjitha kërkesave të qytetarëve të komunës së Obiliqit që kanë të bëjnë me kulturën, me rininë dhe me sportin.

Ndërkaq kryetari Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, falënderoi ministrin Gashi për vizitën e tij. Për projektin e objektit të Shtëpisë së Kulturës ai tha se është filluar një projekt madhor dhe shumë i domosdoshëm për qytetarët e Obiliqit. Kryetari Ademi po ashtu falënderoi edhe ministrin Gashi për angazhimin e tij në krijimin e kushteve për të investuar në infrastrukturën sportive në vend./Zëri