“Letërsia lëvizëse” udhëton nëpër Kosovë

Kultura September 13, 2018 - 09:17
Lexoni detajet
Image

Të martën në Istog dashamirët e fjalës së shkruar u bënë bashkë për të marrë pjesë në një mbrëmje letrare, e cila në qendër të vëmendjes pati letërsinë e shkrimtares Fehime Berisha. Ky organizim u mbajt në kuadër të projektit “Letërsia lëvizëse”, e iniciuar nga instituti për studime në shoqëri dhe në kulturë “Alter Habitus” shkruan sot gazeta "Zëri".

Eli Krasniqi, drejtoreshë e këtij Instituti, ka treguar për gazetën “Zëri” se qëllimi i këtij projekti është që të vihen në pah shkrimtarët, të cilët kanë shkruar në të kaluarën dhe organizimet t’i bëjnë në vendet ku kanë jetuar dhe ku kanë vepruar këta shkrimtarë.

“Ideja e këtij projekti, që në këtë edicion fillon me modesti, është që ta bëjë letërsinë më të shpërndarë, të qasshme për të gjithë, të lëvizshme edhe nëpër vendet më të vogla si p.sh. Istogu. Kam përshtypjen që ngjarjet e mëdha kulturore ndodhin kryesisht në Prishtinë, duke qenë se është kryeqytet. Duke qenë të vetëdijshëm për rëndësinë e letërsisë, por edhe duke udhëtuar nëpër qytete tjera në Kosovë, kemi konsideruar që kjo formë e organizmit është e rëndësishme dhe e nevojshme. Klubet letrare në komunat tjera në Kosovë bëjnë një punë të jashtëzakonshme, prandaj ne u jemi gëzuar shumë shkëmbimeve letrare dhe bashkëpunimit me to. Përveç aspektit të letërsisë që udhëton, qëllimi ynë ishte që të nxirren autorët, të cilët kanë shkruar më parë dhe të vihen në sipërfaqe në kontekstin e sotëm kulturor e politik në Kosovë. Këtë edicion ne e nxjerrim letërsinë nga organizimet rëndom brenda ndërtesave në hapësirat që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me shkrimtarët, si oborret e shtëpive të tyre, lagjet ose sheshet ku ata i kanë frekuentuar gjatë jetës së tyre”, tregoi Krasniqi.

Në këtë edicion të parë organizatorët kanë zgjedhur ta kujtojnë letërsinë dhe jetën e shkrimtareve si Fehime Selimi, Shpresa Vinca-Tuda dhe Mirko Gashi. Njëkohësisht kanë ftuar shkrimtarë tjerë mysafirë, të cilët po ashtu do t’i lexojnë poezitë e tyre. E pyetur se pse janë përzgjedhur pikërisht këta shkrimtarë të lartpërmendur, Krasniqi ka një shpjegim të veçantë për secilin. “Gjatë hulumtimit nëpër arkiva hasa në poezinë e Fehimes, të botuar në revistën ‘Kosovarja’. Pastaj e nxora në ‘Facebook’ dhe Naime Beqiraj e Shuki Gashi e njihnin letërsinë e saj. Për Shpresa Vincën-Tudën fillimisht më kishte folur poetja nga Ferizaj Dije Lohaj, e cila ashtu si të tjerët tregonte për të si shkrimtare për fëmijë, mbledhëse e folklorit, por sidomos si mësimdhënëse që kishte prekur në mënyrë të veçantë brezat që u kishte dhënë mësim. Letërsia e Mirko Gashit tashmë është e njohur. Rina Krasniqi e Lura Limani kanë hulumtuar rreth letërsisë dhe jetës së tij. Kështu që menduam që në Prishtinë një ngjarje letërsie për të i shkon këtij edicioni. Në Prishtinë nga shkrimtarët mysafirë janë dy emra që për herë të parë lexojnë në publik krijimtarinë e tyre”, theksoi Krasniqi.

Teksa janë ndarë të kënaqur me mënyrën se si ka rrjedhur mbrëmja e parë letrare në Istog organizatorët janë në pritje për mbrëmjet vijuese të “Letërsisë lëvizëse”. “Në Istog ka qenë shumë-shumë mirë. Më mirë sesa kemi pritur. Më e mira ka qenë që familjarët e poetes Fehime Selimi kanë arritur të vijnë në mbrëmje. Veçanërisht i falënderoj fëmijët e Fehimes, Blertën dhe Arbrin. Por kanë ardhur edhe kolege e shoqe të Fehimes e qytetarë tjerë”, ka treguar Krasniqi. Pas Istogut shkrimtarët do të dalin para publikut edhe në Ferizaj e në Prishtinë, më 14 dhe më 17 shtator.

“Qyteti i dytë pas Istogut është Ferizaj, më 14.09.2018, në orën 17:00, do të lexojmë dhe do të flasim për letërsinë dhe për punën profesionale të Shpresa Vinca-Tudës, në sheshin ‘Ismail Kadare’. Jemi shumë të lumtur që shkrimtarë, mysafirë do ta kemi edhe Agim Vincën, i cili ndër tjera është edhe vëllai i Shpresa Tudës. Shkrimtarë tjerë janë Qibrije Demiri-Frangu, Kaltrina Lohaj dhe Mirlinda Koxha. Mbrëmja letrare realizohet në bashkëpunim me Komunën e Ferizajt dhe me klubin letrar ‘De Rada’. Pastaj të fundit e kemi Prishtinën, më 17.09. 2018, në orën 18:00, do të lexojmë dhe do të flasim për letërsinë e Mirko Gashit, mbi ‘Kurriz’ të ‘Dardanisë’. Shkrimtarët mysafirë: Ardiana Shala-Prishtina, Aurela Kadriu, Arbër Selmani, Aulona Kadriu, Avni Zogiani dhe Donika Dabishevci. Mbrëmja letrare realizohet në bashkëpunim me zinën ‘Lirindja’”, ka bërë të ditur Krasniqi.

Drejtoresha e Institutit për Studime në Shoqëri dhe në Kulturë deklaroi se si organizatorë synojnë që “Letërsia lëvizës” të organizohet çdo vit, duke përfshirë më shumë qytete dhe më shumë shkrimtarë./ZËRI/