Vëmendja kah filmi “Bini”

Kultura September 12, 2018 - 09:07

Filmi 20-minutësh i xhiruar në Pejë me titull “Bini” po vazhdon një rrugëtim të suksesshëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Projekti i regjisorit Erblin Nushi, që rrëfen një histori nga lufta e Kosovës, së fundi ka marrë çmimin “DC Shorts Outstanding Local Filmmaker” (Filmbërësi më i shquar lokal i “DC Shorts”).

Kjo ka bërë që shumë medie ndërkombëtare në faqet e tyre t’i japin hapësirë këtij filmi. Në një kritikë për këtë film faqja “Just Celebrity Mag” përshkruan se si filmi bazohet komplet në luftën e Kosovës në vitin 1999 dhe si regjisori Nushi shpalos eksperiencën e vet personale. “Kosovë 1999. Konflikti i rrezikshëm mes ushtrisë serbe, forcave të policisë serbe dhe forcave shqiptare ka rezultuar me mijëra të vdekur dhe madje edhe më shumë njerëz të detyruar të ikin nga shtëpitë e tyre. Familjet e shkatërruara, trishtimi, dëshpërimi dhe pasiguria. Regjisori Erblin Nushi vendosi ta sjellë këtë kohë të vështirë gjallë përsëri me ‘Binin’, një dramë tepër e mahnitshme që bazohet në jetën e tij”, nis kështu shkrimi i “Just Celebrity Mag”.

Shkrimi tregon se pavarësisht që filmi i Nushit ka një temë që të thyen zemrën, nis me fëmijërinë e lumtur të Binit (Lurni Krasniqit), një djalë gjashtëvjeçar që jeton në Kosovë dhe ka shumë shokë. Megjithatë jeta e tij merr shpejt kthesë jo të mirë, kur Bini dhe familja e tij duhet të ikin me urgjencë nga shtëpia e tyre për të shkuar dhe për të jetuar me tezen e tij, e cila torturohej nga policia serbe. Shkrimi i “Just Celebrity Mag” e përshkruan filmin “Bini” si një film që është vështirë të pranohet si diçka e bazuar në ngjarje të vërtetë dhe një film që prek ndjenjat e të gjithë personave. Fati i Binit dhe i familjes së tij vjen si mister në këtë film të Nushit.

Në anën tjetër, vetë regjisori Nushi në një intervistë për “Indieactivity” është shprehur se realizimi i këtij filmi i ka shërbyer si shërim për eksperiencën e tij traumatike dhe të trishtueshme si fëmijë. “Isha gjashtë vjeç kur e kalova këtë përvojë të tmerrshme. U rrita duke pasur kujtime nga ngjarja dhe dita kur familja dhe unë u dëbuan nga vendi ynë. Pasi u zhvendosëm në Amerikë më 2010-ën kuptova se sa shumë njerëz kaluan nëpër atë që edhe kosovarët kaluan. Është e trishtuar, sepse sot ka njerëz në mbarë botën që kalojnë nëpër luftë. Fëmijët u ndanë nga familjet e tyre dhe u lanë vetëm, duke humbur të gjithë shpresën për një të ardhme më të mirë. Një kombinim i të gjitha këtyre ndjenjave është arsyeja pse kam dashur të ndaj tani historinë time. Shkrimi i skriptes ishte një moment i kërkuar për përgjigje, sepse isha aq i ri për të kuptuar gjithçka që po ndodhte atëherë. Bërja e filmit dhe të qenët i vendosur ishte një proces shërimi, po ashtu sepse ato ndërhyrje më përhumbën për kaq gjatë dhe kuptova se sa me fat unë isha që kam dalë gjallë prej aty dhe ende e kam familjen time”, ka theksuar Nushi.

I pyetur se cili është mesazhi që ai si regjisor dëshiron që audienca të marrë nga filmi i tij, Nushi në këtë intervistë shprehet se do të donte që njerëzit të cilët mund të bëjnë ndryshme pasi ta shohin filmin “Bini” të reflektojnë për refugjatët. “Kur fillova ta shkruaj filmin kisha shumë dëshirë që me të të them shumë gjëra. Unë isha vetëm gjashtë vjeç kur isha viktimë e luftës dhe jeta ime nuk ishte e njëjtë pas kësaj. Është e trishtueshme të shohësh se kjo po ndodh sot me shumë fëmijë të tjerë. Për shumë vite identiteti i kosovarëve u fshi dhe me këtë film dëshiroj t'ua jap një zë të gjitha atyre jetëve të humbura dhe atyre të prekura nga lufta, si dhe t'i them botës që ne ekzistojmë. Unë shpresoj se duke parë filmin ‘Bini’ do të ndryshojnë mendjet e njerëzve që mund të bëjnë një ndryshim dhe t'i japin fund krizës së refugjatëve një herë e përgjithmonë”, përfundon kështu ai.

Filmi “Bini” deri më tani është shfaqur në “Stockholm Independent Film Festival”, në “PriFilmFest”, në “Korça International FilmFestival” dhe në “HollyShorts Film Festival”, që po ashtu është kualifikues i “Oscars”./Zëri