Fundjava sjell Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë në Rahovec

Kultura September 11, 2018 - 09:19
Lexoni detajet

Pas përfundimit të Festivalit të vjeljes së rrushit në Rahovec, së shpejti do të organizohet edhe një tjetër festival tradicional i këtij qyteti. Këtë fundjavë, nga data 15 deri më 17 shtator 2018, në Rahovec fillon edicioni i katërt i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë, i organizuar nga Fondi për Edukim Kulturor dhe Trashëgimi. Organizatorët premtojnë se edhe në këtë edicion do të sjellin emra të shquar të letërsisë botërore, nga Japonia e deri në SHBA, nga Evropa në Azi.

Sipas drejtorit të Festivalit, poetit të njohur Fahredin Shehu, do të ketë lexime të poezive nga poetë, performancë poetike nga poetesha japoneze Yuki Nagae, promovimi i Antologjisë Ballkanike të edituar nga Shehu dhe të botuar nga “Inner Child Press LTD International” në SHBA, si dhe promovimi i opusit letrar të poetit nga Shqipëria, Xhevahir Spahiu.

Nga Shehu zbuluam se poeti amerikan Andrew Singer, bartës i projektit “Traffika Europa” me seli në Paris, do ta bëjë dokumentimin e Festivalit, prej nga u mor vesh se Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë në Rahovec e fut në rrjetin e festivaleve dhe të ngjarjeve kulturore të Evropës. Aktivitetet e Festivalit do të transmetohen drejtpërdrejt në “Traffika Europa Radio”, si dhe në “Radio Aktiv” në Rahovec.

Festivali po përkrahet nga Ministria e Kulturës, Ministria e Punëve të Jashtme dhe donatorët zemërgjerë nga Rahoveci, të cilët e kuptojnë rëndësinë e festivalit dhe të diplomacisë publike në interes të ngritjes së imazhit të Kosovës në botë.

Për këtë periudhë kohore prejse ka filluar të organizohet Festivali Ndërkombëtar i Poezisë në Rahovec ka arritur të krijojë një identitet të vetin. Ai çdo vit po bëhet adresë e të gjithë dashamirëve të fjalës së shkruar, të cilët kanë rastin që në kuadër të këtij festivali të dëgjojnë krijime letrare nga shkrimtarët vendorë e mysafirët. Shtirja gjeografike e këtij festivali është mjaft e gjerë, sepse në të deri tani kanë interpretuar poetë që nga vendet e Evropës, si Gjermania, Zvicra, Belgjika, Britania e Madhe e Norvegjia e deri te Turqia, Japonia e Australia e largët./Zëri