MKRS-ja e quan të ngutshme grevën e artistëve

Kultura September 11, 2018 - 09:10
Lexoni detajet
Image

Sipas Ministrisë së Kulturës, Rinisë e Sportit, greva e nisur nga tri institucionet kulturore në vend është e ngutshme.

Samir Hoxha, këshilltar i ministrit për Kulturë, Rini e Sport Kujtim Gashit, i ka thënë të hënën gazetës “Zëri” se institucioni që ai përfaqëson ka ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura për trajtimin e kërkesave të punonjësve të kulturës dhe të trashëgimisë. “Futja në grevë nga ana e një pjese të komunitetit artistik në këto momente për ne konsiderohet si  hap i ngutshëm dhe i panevojshëm, pasi që nga ana e MKRS-së janë ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura për trajtimin e kërkesave të punonjësve të kulturës dhe të trashëgimisë përmes plotësim-ndryshimit të Rregullores Nr. 05/2011 për Gradimin e Pagave, të Krijuesve dhe Performuesve të Kulturës dhe Punonjësve Profesionalë të Trashëgimisë Kulturore”, ka thënë Hoxha shkruan sot gazeta "Zëri".

Sipas tij, tashmë mbetet që vetëm ky dokument të futet në rend të ditës në mbledhjen e radhës së Qeverisë së Kosovës. “Siç e dini, për muaj të tërë është punuar nga ana e grupit punues për plotësim-ndryshimin e rregullores në fjalë në përcaktimin e sistemit të gradimit dhe të pagave për krijuesit dhe performuesit e kulturës dhe të punonjësve profesionalë të trashëgimisë kulturore, që punojnë në institucionet e kulturës dhe të trashëgimisë kulturore e që janë në vartësi të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Tanimë ky dokument është përfunduar dhe i njëjti është proceduar për t’u futur në rend të ditës në mbledhjen e radhës së Qeverisë. Më duhet t’jua bëj me dije se procesi i plotësim-ndryshimit të rregullores për krijuesit dhe performuesit ka qenë tepër i vështirë dhe i ndërlikuar, por si rezultat i përkushtimit dhe seriozitetit tonë ne kemi arritur që të gjitha këto barriera politike, por edhe administrative, t’i tejkalojmë së bashku me të gjithë akterët e involvuar në proces. Unë jam tepër i bindur se ditët në vijim do të kemi lajme pozitive për të gjithë komunitetin artistik në vendin tonë. Unë besoj se krijuesit dhe performuesit në vendin tonë do të trajtohen me dinjitet të lartë, ashtu siç ata e meritojnë”, ka theksuar ai.

Më tutje, ai u ka bërë thirrje institucioneve të përfshira në grevë t’i rikthehen punës. “Ne u bëjmë thirrje të gjithë punëtorëve të institucioneve të cilat aktualisht janë futur në grevë që t’i rikthehen punës dhe të zbatojnë programet e punës në përputhje me kalanderin e aktiviteteve të parapara, pasi që konsiderojmë se nuk ka arsye të ketë pengim të procesit të punës në këto momente”, ka përfunduar Hoxha.

 

Rikujtojmë se ansambli kombëtar i këngëve dhe valleve “Shota”, Filarmonia e Kosovës dhe Teatri Kombëtar i Kosovës kanë hyrë në grevë javën e kaluar, duke pezulluar kështu mbajtjen e aktiviteteve të planifikuara në kalendarët përkatës deri në ngritjen e premtuar të pagave bazë. Në emër të grevistëve aktori Shkelzen Veseli tha se greva vjen si rezultat i gjendjes së rëndë dhe neglizhencës së performuesve të artit tash e 19 vjet nga ana e Ministrisë së Kulturës së Kosovës, Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës për mungesën e mbrojtjes institucionale dhe ligjore, me theks të veçantë për kategorinë e performuesve të artit dhe punëtorëve tekniko-artistikë. Ai po ashtu përshkroi procesin e gjatë, i cili ende nuk është përmbyllur, prej kërkesës për këtë ngritje të pagave, miratimit të rregullores e deri te punimi i konceptdokumentit. “Pas kërkesave të vazhdueshme të sindikatave përkatëse të institucioneve të kulturës lidhur me ngritjen e pagës bazë për performuesit e artit dhe punëtorët profesionalë të trashëgimisë kulturore, përkatësisht pas inicimit të procedurave për përmirësimin e rregullores 05/2011, pas paralajmërimit të datës 5 shtator 2017 për ndërmarrjen e masave sindikale në rast të mosplotësimit të kërkesave tona, pas marrëveshjes së arritur të datës 2 tetor 2017 mes përfaqësuesve sindikalë dhe ministrit Gashi, ku u paralajmëruara se nga janari performuesit e artit do t’i marrin pagat me ngritje. Pas kontributit tonë duke qenë pjesë e grupit punues të konceptdokumentit të miratuar në Qeveri të janarit të vitit 2018, pas përfundimit të punës së rregullores 05/2018 nga ana e grupit punues, pjesë e së cilës ishim edhe ne përfaqësuesit sindikalë, pas takimit të përbashkët me sindikatat dhe institucionet e MRKS-së të muajit qershor 2018 u dhanë zotime publike se rregullorja do të dërgohej gjatë muajit qershor për miratim në Qeveri”, thuhet në deklaratën e përbashkët të institucioneve të kulturës për grevë.

Në anën tjetër, edhe Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës u ka bërë thirrje artistëve t’i kthehen punës. Në përkrahje të grevistëve ka dalë edhe Trupa Kombëtare e Baletit të Kosovës, të cilët nuk e kanë pezulluar punën, por kanë deklaruar se institucionet e kulturës kanë nevojë për nivelizim pagash./Zëri/