Britanikët realizojnë dokumentar të animuar për Skënderbeun

Kultura September 10, 2018 - 09:22

Një dokumentar i ri për Skënderbeun është publikuar këtë javë në kanalin më të madh të video-materialeve në “Youtube”.

Është kompania britanike e filmave të animuar “Kings And Generals”, e cila ka realizuar një dokumentar për heroin e shqiptarëve dhe për rezistencën ndaj sundimit otoman. Dokumentari i animuar flet jo vetëm për betejat, për luftërat dhe për diplomacinë e Gjergj Kastriot-Skënderbeut, por edhe për detaje të njohura të jetës së heroit të shqiptarëve.

Edhe pse dokumentari është publikuar më 2 shtator dhe për pesë ditë në kanalin zyrtar të “Kings and Generals”, në “YouTube”, ka arritur mbi 170 mijë shikime dhe mbi 7 mijë pëlqime.

Animacioni është një nga teknikat që zgjedh kjo kompani kinematografike në Britani për t’i afruar të rinjtë dhe fëmijët me historinë dhe për t’i bërë më të njohura ngjarjet më të rëndësishme në botë.

Kujtojmë së këtë vit figura e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut ka shënuar një përvjetor të rëndësishëm, atë të 550-vjetorit të vdekjes së tij. Për këtë arsye ai këtë vit ka qenë element kryesor i shumë festivaleve kulturore e filmike, pjesë e ekspozitave të artit dhe të promovimit të librave./Zëri