Roku “pushtoi” Rahovecin

Kultura September 10, 2018 - 09:18
Image

Shtatori solli në Rahovec ngjarjen më të madhe kulturore që mbahet në ato anë, festivalin tradicional të vjeljes së rrushit “HardhFest”. Edicioni i 17-të i këtij festivali tuboi në këtë komunë shumë vizitorë nga Kosova dhe nga rajoni. E premtja e javës së kaluar mblodhi në Rahovec grupet “Troja” e “Rahoveci All Star”. Të parët të njohur e të dashur nga publiku kosovar tash e sa vite dhe të dytit të bërë bashkë enkas për këtë festival shkruan sot gazeta "Zëri".

Në skenën e “HardhiFest”-it edhe mbrëmjen e së shtunës u ngjitën disa artistë të pakontestueshëm të muzikës rok. Mbrëmja nisi me “Mike B” për të vazhduar me “Maginituda:-n. Publiku në Rahovec priti ngrohtë edhe muzikantin nga Shqipëria Eugent Bushpepën. Përfaqësuesi i fundit i Shqipërisë në festivalin e këngës evropiane “Eurovision” ndezi atmosferën me vokalin e tij, i cili cilësohet si një nga më të mirët në skenën muzikore shqiptare. Mbrëmja përfundoi me mysafirin special, muzikantin Kee Marcelo, ish-anëtar i grupit të famshëm “The Europe”, i cili solli frymë evropiane në Rahovec të Kosovës dhe elektrizoi publikun e festivalit të rrushit dhe të verës “HardhFest”.

Programi i “HardhFest”-it përfundoi të dielën me zgjedhjen e mbretëreshës së rrushit, si dhe me muzikën e DJ Nwe. Më shtatë, tetë dhe nëntë shtator në Rahovec rrugëtimin e tij të 17-të festivali i vjeljes së rrushit “HardhFest” e bëri me moton “Me pamje kah vneshtat”.

Tashmë dihet se përveç argëtimit festivali “HardhFest” ka për qëllim t’i promovojë traditat e vreshtarisë dhe të turizmit në këtë rajon, por edhe në gjithë Kosovën. E gjitha kjo u realizua sivjet përmes aktiviteteve të organizuara në kuadër të festivaleve, duke u nisur nga vjelja e rrushit e deri te vizitat në bodrumet, në të cilat përgatitet vera, duke u dhënë mundësi vizitorëve të festivalit ta shohin nga afër këtë proces.

Edhe në këtë edicion festivali pati edhe kampingun e vet, ku turistët patën mundësi që të shijojnë në maksimum natyrën e kësaj ane të Kosovës duke u vendosur në tendat e këtij festivali dhe duke qenë për tri ditë rresht afër të gjitha aktiviteteve, që u mbajtën në kuadër të “HardhFest”-it./Zëri/