Kultura

Drejtori i Baletit të Kosovës u shkruan letër të hapur krerëve të shtetit

Drejtori i Baletit të Kosovës u shkruan letër të hapur krerëve të shtetit
10 shtator 2018 • 09 : 15

Si rezultat i pakënaqësisë për pagat e ulëta Teatri Kombëtar i Kosovës, Filarmonia e Kosovës dhe ansambli kombëtar i këngëve dhe i valleve “Shota” kanë anuluar që nga java e kaluar çdo aktivitet të tyre deri në ngritjen e pagës komfor Rregullores. Të njëjtën kërkesë e ka edhe Baleti Kombëtar i Kosovës, ani pse anëtarët e tij nuk i kanë ndalur provat edhe shfaqjet. Drejtori i këtij institucioni, Ahmet Brahimaj, i është drejtuar me një letër të hapur kryetarit të Parlamentit të Republikës së Kosovës Kadri Veselit, kryeministrit të Republikës së Kosovës Ramush Haradinajt dhe ministrit të Kulturës, të Rinisë dhe të Sportit Kujtim Gashit.

Përmes letrës së tij Brahimaj kërkon t’u jepet zgjidhje problemeve, me të cilat po përballet institucioni të cilin ai drejton. “Baleti Kombëtar i Kosovës ju drejtohet përmes këtij njoftimi, në lidhje me situatën shqetësuese e cila po mbretëron në tre muajt e fundit në institucionet e kulturës, e cila ka përfshirë edhe Baletin Kombëtar të Kosovës. Baletit Kombëtar të Kosovës ka tre muaj që i është ndërprerë financimi dhe ka zhytur totalisht në kolaps institucionin tonë, duke rrezikuar seriozisht realizimin e agjendës sonë si institucion. Marrëveshjet me artistë e me festivale jashtë vendit dhe turne nëpër Evropë, të cilat BKK-ja i ka planifikuar dhe i ka futur në agjendë për vitin 2018, janë të rrezikuara si pasojë e bllokimit të buxhetit dhe kjo situatë e krijuar ka vënë në pikëpyetje funksionimin dhe kredibilitetin e Baletit Kombëtar të Kosovës”, thuhet në letrën e drejtorit Brahimaj. Tutje në të përmenden disa nga paraqitjet e suksesshme ndërkombëtare të BKK-së në Berlin, në Hamburg, në Paris, në Graz, në Sveti Vlas (Bullgari) etj dhe drejtori thekson se mosrealizimi i marrëveshjeve paraprake me partnerë kombëtarë e ndërkombëtarë do të jetë fatal për rrugëtimin edhe ashtu me shumë probleme të Baletit Kombëtar të Kosovës. “Koreografi z. Israel Rodriguez ka udhëtuar nga SHBA-ja për në Prishtinë më datë 25 gusht 2018, për të realizuar premierën e radhës së BKK-së, e cila do të jetë më datë 4 tetor dhe më duhet t’ju bëj me dije që institucioni ynë, për shkak të bllokimit të buxhetit, nuk ka mundësi t’i kryejë obligimet ndaj të ftuarit. BKK-ja më datë 13 shtator do të udhëtojë për në qytetin Ruse të Bullgarisë, si të ftuar për të shfaqur baletin ‘Xhulieta pa Romeon’ dhe momentalisht nuk kemi mjete për të realizuar këtë udhëtim. Në muajin tetor BKK-ja do të udhëtojë për herë të parë drejt Finlandës, ku do të ketë turne në katër qytete finlandeze me shfaqjen ‘Një legjendë për dashurinë’, turne i cili është planifikuar para më shumë së një viti dhe situata e krijuar kohëve të fundit rrezikon seriozisht realizimin e këtij turneu me vlerë, jo vetëm për ne si institucion, por edhe për kulturën e vendit tonë”, tregon ai.

Brahimaj në këtë letër drejtuar të parëve të shtetit përmend faktin që Baleti Kombëtar i Kosovës që nga paslufta aktivitetin e vet e ka zhvilluar në kushte të rënda dhe tashmë janë në pikën kur i janë bashkuar grevës së kolegeve, por prapëseprapë nuk e kanë ndalur punën sepse baleti është art fizik dhe çdo ditë e humbur është tejet e dëmshme për realizimin e shfaqjeve. “Rregullorja, e cila është në procedim e sipër për rritjen e pagave të performuesve, ne mendojmë që është diskriminuese për disa nga institucionet e kulturës dhe si e tillë nuk mendojmë se do t’i zgjidhë problemin e pagave për performuesit.

I nderuari Kryeministër dhe Ministër, ne si artistë jemi të obliguar dhe të zotuar që t’i ruajmë vlerat e institucioneve që u takojmë, sepse kemi derdhur djersë në kushte të rënda për të krijuar respekt dhe vlera, por kjo situatë nuk mund të vazhdojë pafundësisht, sepse ne nuk mund të dalim prej vetes dhe të bëjmë mrekulli e me shqetësim të thellë ju njoftojmë që ne si trupë, të shtyrë nga kjo situatë e rëndë e krijuar, jemi të detyruar të shqyrtojmë vazhdimin e aktivitetit tonë si balerinë. Shpresojmë shumë që kjo situatë të zgjidhet sa më shpejt për të mirën tonë të përbashkët”, përfundon kështu letra e Brahimajt.

Deri të dielën as Baleti Kombëtar i Kosovës, por as institucionet e tjera të kulturës nuk kanë marrë ndonjë qëndrim tjetër zyrtar nga Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit për grevën e nisur./Zëri

© zëri.info