Kultura

Promovohen librat për Nënën Terezë dhe Skënderbeun në pullat postare

Promovohen librat për Nënën Terezë dhe Skënderbeun në pullat postare
07 shtator 2018 • 12 : 33

Lexo detajet!

Image

Ky vit ka qenë vit i përvjetorëve të rëndësishëm për dy figura të mëdha sa shqiptare, aq edhe botërore, si Nëna Terezë dhe Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Më 4 shtator është shënuar dyvjetori i shenjtërimit të Nënës Terezë dhe në muajin janar 550-vjetori i vdekjes së Skënderbeut, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Me këtë rast gjatë ditës së enjte Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka bërë promovimin e dy librave që ndërlidhen me këto figura, “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në pullat shqiptare 1913-2017” dhe “Nënë Tereza në pullat postare”, të autorit dhe koleksionistit Hysen Dizdari.

Në këtë promovim, përpos autorit Drizdari, për të folur në lidhje me librat dhe dy figurat që ata përfaqësojnë fjalën morën Dom Lush Gjergji dhe profesoresha e studiuesja Flutura Xhabija.

Dom Lush Gjergji, recensent i librit “Nënë Tereza në pullat postare” dhe autor i parathënies, mori fjalën hyrëse, u shpreh shumë i kënaqur dhe e përgëzoi autorin që ka shkruar veprën dhe bibliotekën që organizon një ngjarje të tillë kulturore dhe shpirtërore.

Ai tregoi për jetën dhe veprën e Nënës Terezë, duke filluar nga rinia e saj në Shkup, vendimi i saj si 18-vjeçare për t’u shndërruar në misionare dhe për t’ua dedikuar jetën e saj të tjerëve në nevojë e deri te shpërblimi me çmimin “Nobel për Paqe”, kur bota e njohu atë përveç të tjerash edhe si shqiptare.

Gjergji përshkroi edhe vuajtjet e saj personale, si dhe vështirësitë e aso kohe të të jetuarit në Shkup, mungesën e shollave shqipe e vdekjen e hershme të babait të saj, të cilat ia dhanë asaj mundësinë për të përqafuar kështu edhe vuajtjet e të tjerëve. “Të flasësh për jetën dhe veprën e Nënës Terezë është një kapitull me plot ngjarje. Jeta dhe vepra e saj e paraqet me një mënyrë edhe historinë tonë të shekullit 19 e sidomos të shekullit 20. Unë do të kisha dashur që figura, jeta dhe vepra e saj të vulosen në mendjen dhe në zemrat tona dhe në të jemi postierët e lajmit të mirë se Shën Nëna jonë Terezë ishte dhe mbetet bijë ilire, arbërore dhe shqiptare”, përfundoi kështu ai, shkruan më tutje "Zëri". 

Pas Dom Lush Gjergjit fjalën e mori Flutura Xhabija, profesoreshë, studiuese dhe redaktore e disa librave të autorit Dizdari. 

Ajo përshkroi autorin e këtyre librave, Disdarin, si njëri nga studentët e paktë që arrin të ngrihet mbi profesorët e tij dhe u shpreh e mendimit se këta libra janë shumë atraktivë për t’u lexuar, me pjesë edukative dhe kulturore. “Të gjithë profesorët këtë e dinë, që ka studentë të kategorive të ndryshme, por të paktë janë ata të cilat ia dalin të jenë mbi profesorët. Njëri ndër ta është edhe Hyseni”, tha Xhabija.

Ajo po ashtu prezantoi edhe një pikëpamje tjetër më anë të së cilës figurat e Nënës Terezë dhe Skënderbeut mund të përdoren për të zhvilluar edhe ekonominë dhe turizmin. Kjo sipas saj mund të bëhet përmes artizanisë, duke krijuar kështu suvenire, çanta me figurat e tyre, por edhe përmes kinematografisë dhe filmave.   

Krejt në fund foli edhe autori Hysen Disdani, autor i këtyre dy librave dhe koleksionist i pasionuar i pullave postare, ose asaj çka quhet filateli. Disdari u shpreh se pasi që për jetën dhe veprën e Nënës Terezë dhe Gjergj Kastriotit Skënderbeut u fol para tij ai do të shpjegonte vetëm pjesën e historisë dhe mbledhjes së pullave postare. “Posta shqiptare ka 105 vjet histori. Më 28 nëntor 1912, kur u krijua shteti i parë shqiptar me Ismail Qemalin dhe patriotë të tjerë nga Kosova dhe Shqipëria, ju e dini. Më datën 5 muaj 1913, vetëm gjashtë muaj mbrapa, është krijuar Ministria e Post-Telegrafit dhe Telefonave dhe njëri nga emisionet e para të krijuara është kjo pullë, pulla e parë me Skënderbeun”, tregoi Disdari për fillet e pullës postare në trojet shqiptare. 

Po ashtu koleksionisti tregoi se pulla postare është elementi më i rëndësishëm i një shteti, pas monedhës dhe mbi 50 vende të botës e kanë Nënën Terezë të stamposur në vulat e tyre, duke e bërë atë njërin nga personalitetet e pakta, të mos themi e vetmja që e ka arritur këtë gjë. “Duke studiuar postën e Indisë kam parë se ka bërë 7 emisione me pulla kushtuar Nënë Terezës dhe zë vendin e dytë pas Indira Gandhit. Ajo është e vulosur në pullë në 58 vende të botës, duke përshirë Palestinën, Ruandën, Bangladeshin, Gjermaninë, Amerikën, shtetet më të mëdha të botës e kanë stamposur në vulën e shtetit të tyre një figurë shqiptare”, përfundoi kështu ai. /ZERI

© zëri.info