Fondacioni “Shtatëmbëdhjetë” prezanton ekspozitën “Metamorphosis”

Kultura September 06, 2018 - 08:17

Fondacioni “Shtatëmbëdhjetë” hap sonte ekspozitën “Metamorphosis”, e cila do të zërë vend në objektin e ish-mensës së punëtorëve të “Ramiz Sadikut” (Pejton).

“Metamorphosis” është një projekt i realizuar nga fondacioni “Shtatëmbëdhjetë”, i cili ka për qëllim nxitjen e ndryshimeve pozitive në shoqëri përmes mundësimit të vitalitetit kulturor dhe kreativitetit. “Shtatëmbëdhjetë” është i përkushtuar të krijojë një mjedis edukues për qytetarët e të gjitha gjinive dhe moshave në të gjitha nivelet e rrugëtimit të tyre, duke inkurajuar pjesëmarrjen në jetën publike nëpërmjet artit, kulturës, arsimit dhe informimit dhe duke shërbyer si një burim jetësor krijues për komunitetin. Prandaj edhe veprimtarinë e vet e ka nisur me një projekt i cili ka përfshirë më shumë se 20 të rinj e të reja. Për tri ditë me radhë ata u bënë pjesë e dy punëtorive, konstruksion dhe performancë.

Gjatë kësaj periudhe ata mblodhën informata rreth objektit të braktisur, i cili njihet si mensa e punëtorëve të kompanisë “Ramiz Sadiku”. Nëpërmjet një pune hulumtuese në terren dhe pas bisedave me banorët e lagjes ata kanë arritur që të mbledhin një historik të shkurtër rreth objektit, ashtu siç banorët e kujtojnë. Rrëfimet e tyre më pas i kanë përkthyer në vepra arti, të cilat përmes një ekspozite dhe performance do të shpalosen para publikut më datën 6 të muajit shtator.

Foncacioni “Shtatëmbëdhjetë” fton të interesuarit të bëhen pjesë e përjetimit më ndryshe të një cope të historisë për objektin, i cili u ndërtua gati 70 vjet më parë. Kjo ndërhyrje artistike, e cila do të bëhet nga të rinjtë dhe të rejat, vjen si thirrje për reflektim për ruajtjen e historisë dhe memories kolektive. Ky projekt financohet nga BE-ja, menaxhohet nga Zyra e BE-së në Kosovë dhe zbatohet nga qendra “Multimedia” dhe “Goethe-Institut”./Zëri