Nëna Terezë, shembulli që duhet ndjekur

Kultura September 06, 2018 - 08:14

Gjatë ditës së mërkurë në katedralen e Prishtinës “Nënë Tereza” u mbajt mesha solemne për festën e Shën Terezës. Kjo meshë u udhëhoq nga delegati apostolik për Kosovë, Juliusz Janusz dhe ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji.

Janusz gjatë meshës në Prishtinë u shpreh se duhet ndjekur shembulli i Nënës Terezë në mënyrë që bota të ketë më shumë paqe. Ai shtoi se Nëna Terezë ka mposhtur kufijtë e urrejtjes. “Nëna Terezë ka dëshmuar se dashuria është e vështirë. Mision tim në Kosovë e konsideroj si më të bukurit dhe ndër më të suksesshmit që kam pasur. Nëna Terezë ka mposhtur kufijtë e urrejtjes”, tha ai. Në anën tjetër, edhe ipeshkvi Dodë Gjergji porositi të gjithë që ta ndjekin shembullin e Nënës Terezë. “O zot, na mundëso edhe neve që përmes Nënës Terezë të jemi të mëshirshëm ndaj njerëzve”, u shpreh Don Lush Gjergji.

Në këtë meshë u bë edhe e ditur se nga tash Ipeshkvia e Kosovës do të jetë Ipeshkvi në kuptimin e plotë të fjalës, pasi ajo kishte funksionuar si administratore. Ajo me vendim të Vatikanit do të quhet Ipeshkvia e Kosovës, Prizren - Prishtinë. Këtë e ka bërë të ditur delegati apostolik për Kosovë, Juliusz Janusz, në meshën solemne në katedralen “Nëna Terezë”, në Prishtinë. “Ipeshkvia juaj ka pasur titullin e administratorit. Qysh në fillim është thënë se kjo do të ndërrojë. Prandaj kam ardhur sot me lajmin e gëzuar”, njoftoi delegati apostolik për Kosovë, Juliusz Janusz.

Festa e Shën Terezës, e organizuar nga Ipeshkvia e Kosovës, ka nisur që nga 2 shtatori. Në mënyrë të veçantë gjatë këtyre ditëve u kujtua 1-vjetori i shugurimit të Katedrales dhe 90-vjetori i nisjes së Gonxhe Bojaxhiut – Shën Nënë Terezës, për misione në Kalkuta të Indisë. 

Rikujtojmë se Nëna Tereza është shembull i jashtëzakonshëm i misionit të heshtur e të pareshtur të bamirësisë, dëshmitare e paharrueshme e dashurisë, që gjeti shprehjen e vet konkrete në shërbimin e vazhdueshëm ndaj vëllezërve e motrave më të varfër e më të braktisur të botës, pa dallim e pa përjashtim race, feje, kombësie ose përkatësie shoqërore./Zëri