Kosova propozon filmin “Martesa” për “Oscars”

Kultura September 05, 2018 - 09:14
Image

Filmi “Martesa”, me skenar dhe me regji të Blerta Zeqirit, fitues i dy çmimeve në Festivalin e Filmit në Talin, është propozimi zyrtar i Kosovës për kategorinë “Filmi më i mirë në gjuhë të huaj” në akademinë “Oscars”. Lajmin e ka bërë të ditur Qendra Kinematografike e Kosovës gjatë ditës së martë shkruan sot gazeta "Zëri".

Kryesuesi i komisionit përzgjedhës, regjisori Isa Qosja u shpreh se “Martesa” është një film ndryshe nga ata që jemi mësuar t’i shohim të realizuar në Kosovë dhe e cilësoi këtë filmi si të rrjedhshëm. “Filmi i propozuar është një tregim ndryshe nga ato që jemi mësuar ose jemi detyruar t’i shohim te ne. Përmban një strukturë disashtresore dramaturgjike, aktorët i gjallojnë fatet e tyre në mënyrë të natyrshme dhe me mjaft emocione. Regjisura është gati e pavërejtur dhe kjo i jep këtij filmi rrjedhshmëri në perceptim të fabulës dhe të përjetimit”, u shpreh Qosja.

Filmi i parë i metrazhit të gjatë i realizuar nga regjisorja Zeqiri, për të cilin është punuar pesë vjet, ka në qendër një histori dashurie. E ndonëse e ka titulluar “Martesa”, në këtë film regjisorja Zeqiri, producenti Kreshnik Berisha dhe gjithë ekipi kanë mëtuar të flasin thjesht për dashurinë, e cila nuk duhet ndaluar në asnjë mënyrë, as në emër të disa normave të sajuara shoqërore. “Martesa” flet për një çift në të tridhjetat, Bekimi (Alban Ukaj) dhe Anita (Adriana Matoshi), të cilët po planifikojnë martesën, por në anën tjetër shfaqet edhe Noli (Genc Salihu), me të cilin Bekimi kishte qenë në lidhje kohë më parë.

Zeqiri sjell një histori që ka të bëjë me situatën e komunitetit LGBT në vend. Këto raste asaj i pëlqen t’i quajë “Roemo e Xhulieta e shoqërisë kosovare”.

Kështu ajo pati deklaruar edhe në një intervistë të mëhershme për “Zërin”, e mënyra se si krejt kjo ngjarje paraqitet në filmin e saj ta jep vërtet këtë bindje. Zeqiri e bën të qartë se shoqëria në të cilën është vendosur ngjarja është kontradiktore. “Besoj se dashuria është ndjenja më e bukur dhe më e fuqishme që kanë qeniet njerëzore. Kur dashurojmë bota na duket më e bukur; kur dashurojmë bëhemi njerëz më të mirë. Besoj fuqishëm se dashuria nuk duhet ndaluar në asnjë mënyrë, sidomos jo në emër të disa normave të sajuara shoqërore. Unë kam dashur të rrëfej një histori dashurie të pamundur në ditët e sotme në Kosovë. Kam pyetur veten se kush janë Romeo e Zhulieta në shoqërinë tonë dhe për mua ka qenë më se e qartë që sot fatkeqësisht ata janë dashuritë në mes të gjinisë së njëjtë”, ishte shprehur ajo.

Për t’i jetësuar personazhet e saj regjisorja Blerta Zeqiri ka zgjedhur disa nga emrat më të dëshmuar të skenës. Publiku është i familjarizuar me aktoren Adriana Matoshi, një nga aktoret më të mira kosovare dhe me Alban Ukajn, të vlerësuar lart gjithashtu, por muzikanti Genc Salihu që vjen në rolin e Nolit pa dyshim se ishte një befasi e mirë.

E përveç luftës për dashuri që Ukaj e Salihu e sjellin me rolet e tyre, “Martesa” prek edhe luftën e fundit në Kosovë. Filmi trajton çështjen e personave të pagjetur dhe në këtë rast janë prindërit e Anitës, eshtrat e të cilëve pritet të kthehen nga Serbia.

Sipas regjisores, tema e luftës lidhet ngushtë me secilin prej nesh që jetojmë në Kosovë dhe në një mënyrë ose në një tjetër ka ndikim te ne, ndaj ka zgjedhur ta trajtojë edhe në filmin e saj.

Filmi “Martesa” është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, është prodhim i kompanisë “Beze” me producent Keka Kreshnik Berisha. Përveç QKK-së, “Martesa” u përkrah edhe nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë së Shqipërisë.

Filmi “Martesa” u shfaq për një javë në kinemanë “Cineplexx” në Prishtinë gjatë muajit shkurt e edhe në rrjetin e kësaj kinemaje austriake në Tiranë. Së fundmi këtë verë “Martesa” u prezantua edhe në edicionin e dhjetë të festivalit “PriFilmFest”, në Prishtinë./ZËRI/