Komuna lidh bashkëpunim me Asociacionin e Arkitektëve për Sallën e Koncerteve

Kultura September 04, 2018 - 09:24

Komuna e Prishtinës bashkë me Asociacionin e Arkitektëve të Kosovës nënshkruan të hënën një memorandum mirëkuptimi për bashkëpunim të ndërsjellë në përgatitjen e konkursit ndërkombëtar për konceptet ideore që ndërlidhen me projektin e Sallës së Koncerteve në qendër të Prishtinës.

Përmes këtij memorandumi Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës ka përgjegjësi që të ofrojë ekspertizë në fushë e arkitekturës për konkursin ndërkombëtar, do të ofrojë ekspertizë teknike në realizimin e projektit, të mbledhë materiale dhe të dhëna profesionale të nevojshme për aplikuesit, të përpilojë termat e referencës dhe detyrën projektuese për konkursin ndërkombëtar, t’i respektojë afatet kohore të parapara për përfundim të shërbimeve, si dhe të bashkëpunojë me Komunën gjatë gjithë implementimit të aktiviteteve.

Në anën tjetër, Komuna e Prishtinës do të ofrojë mbështetje institucionale me qëllim të arritjes së synimeve të kësaj marrëveshjeje, si dhe do të ofrojë mbështetje financiare për Asociacionin e Arkitektëve të Kosovës.

Rikujtojmë se kjo sallë do të jetë në objektin ish-“Gërmia”, në vendin ku sot është vendosur Administrata Tatimore e Kosovës, përballë Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Në një intervistë dhënë gazetës “Zëri” javë më parë Yll Rugova, drejtor i Kulturës, i Rinisë dhe i Sportit në Komunën e Prishtinës,  u zotua se i gjithë ky projekt do të përfundojë deri në fund të këtij viti. Ai shprehu dëshirën që përveç një salle të koncerteve të ketë edhe një monument kulture në qendër të Prishtinës.

Që nga paslufta komuniteti artistik i Kosovës pret për një sallë të denjë që do t'i plotësonte kushtet për ngjarje të mëdha kulturore. Trupa Kombëtare e Baletit objektin e ndan me stafin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, ani pse që nga 2005-a janë dy institucione të ndryshme. Gjendjen më të mirë nuk e ka as Filarmonia e Kosovës, institucioni më i lartë muzikor në vend që këtë vit shënon 18-vjetorin e themelimit, pa një sallë që i plotëson kushtet për mbajtjen e koncerteve dhe të ushtrimeve. Si rezultat i kësaj mungese shumë ngjarje të mëdha muzikore organizohen në periudhën e verës kur moti është më i qëndrueshëm në disa ambiente të hapura, siç është amfiteatri i Parkut të Gërmisë ose sheshet qendrore të qytetit.

Kjo e bën edhe Teatrin Kombëtar të Kosovës t’i hapë shpesh dyert për organizime që nuk janë pjesë e programit të brendshëm të tij./Zëri