“Etno Fest” sjell edicionin e 8-të

Kultura September 03, 2018 - 09:18

Me “Ritin e stolisjes së nuses ilire” në interaksion me publikun ka nisur të shtunën në fshatin Kukaj, i cili ndodhet vetëm disa kilometra larg Prishtinës, edicioni i tetë i festivalit “Etno Fest” shkruan sot gazeta "Zëri".

Pas kësaj nga fototeka “Marubi”  u prezantua një studio e fotografimit bardhezi me veshje tradicionale e hapur për publikun e gjerë e kështu me radhë deri në orët e vona të natës, ku në “Etno Neja” performuan grupi “Melodia e vjetër” dhe Nezafete Shala.

Në anën tjetër, të dielën “Etno Fest” riktheu edhe një herë në skenë shfaqjen “Copë-copë” të dramaturges Blerta Zeqiri e me regji të Zana Krasniqit, ku një e mbijetuar e dhunës dhe disa artiste janë bashkuar për të ndarë me publikun copëza përjetimesh nga jeta e tyre. Interpretime të përbashkëta të artisteve dhe të mbijetuarës së dhunës në hapësirën e njëjtë  riaktualizojnë forcën që ato kanë gjetur për t’u përballur me realitetin. Në këtë shfaqje me rolet e tyre paraqiten Melihate Qena, Anisa Ismajli, Donikë Ahmeti, Qendresa Kajtazi, Daniela Markaj, Albina Kelmendi dhe Bashkime Sulejmani.

Festivali “EtnoFest” për shtatë vjetët e kaluara i ka ofruar publikut shqiptar programe nga më të ndryshmet përmes shtyllave të veta programore dhe aktivitete të shumta përcjellëse, si: shfaqje teatrale, koncerte, rite arkaike, ekspozita figurative e etnografike, biseda odash, seminare dhe debate në tema etnokulturore, promovime librash, projeksione filmash dokumentarë e artistikë me temë nga tradita, etnokoncerte dhe programe etnojazzi, duke përfshirë këtu edhe performanca të shumta joformale, shfaqje studentore etj. Një vend të veçantë viteve të fundit zuri edhe prezantimi i artit të kulinarisë shqiptare, si dhe zejeve dhe artizanateve të vjetra që po rrezikojnë të zhduken.

Rikujtojmë se për këtë festival në Kukaj nga familja Hysaj gjatë viteve të kaluara është ngritur një etnokompleks që ka hapësira për shfaqje teatrore dhe manifestime të tjera artistike dhe kulturore. Atje janë adaptuar dy shtëpi të vjetra, në të cilat tani mbahen shfaqje teatrore, ekspozita etnografike e figurative dhe ndeja tradicionale. Gjithashtu është ndërtuar një shtëpi për aktorë dhe në këtë hapësirë është edhe kompleksi për përgatitjen e ushqimeve tradicionale dhe shtëpia e muzeut etnografik.