Lënda e edukimit medial të futet për ligjërim në shkolla

Kultura August 29, 2018 - 09:14

Në kuadër të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, i cili po mban në Prishtinë edicionin e saj të 37-të, është mbajtur tryeza me temën “Edukimi Medial”.

Në këtë tryezë, që u drejtua nga Alban Zeneli, folën shumë personalitete nga bota e gazetarisë dhe e mediave, të cilët theksuan rëndësinë e pakrahasueshme që ka futja e një lënde të tillë në planprogramin mësimor.

Lindita Tahiri, profesoreshë në Degën e Gazetarisë, për Departamentin në të cilin ajo punon, tha se ka qenë gjithmonë i interesuar që lënda edukimit medial të futet në shkolla.

“Departamenti ynë ka qenë gjithmonë i interesuar që kjo lëndë të hyjë në shkolla. Edukimi për medie është e drejtë themelore e njeriut. Edukimi kritik është shkathtësi bazike, pa të cilën individi i sotëm mund të konsiderohet analfabet”, tha Tahiri ndër të tjerash.

Abit Hoxha, studiues i medieve, tha se rrallë flitet për edukimin medial dhe sipas një studimi që ai e ka bërë, gazetarët nuk u besojnë institucioneve në Kosovë. Hoxha gjithashtu shtoi se përfshirja e edukimit medial nuk ka të bëjë vetëm me gazetarë dhe me shkolla, mirëpo edhe me institucionet tjera të Kosovës. “Edukimi i publikut në Kosovë nuk përfshin vetëm gazetarët dhe shkollat, por shumicën e institucioneve në Kosovë dhe jo vetëm lajmet, sportet, por argëtimin dhe të gjitha”, theksoi Hoxha.

Muhamet Jahiri, asistent në Fakultetin e Gazetarisë, tregoi disa nga problemet kryesore që audienca kosovare has në medie dhe për nivelin e ulët të informimit e të edukimit medial të cilin shoqëria kosovare e ka. “Shoqëria kosovare është shumë pak e informuar për rëndësinë që ka edukimi medial. Universiteti i Prishtinës, së bashku me Departamentin e Gazetarisë dhe në bashkëpunim me Fakultetin e Edukimit duhet të krijojnë programe për këtë fushë dhe institucionet të japin kontributin e tyre në këtë drejtim përmes hulumtimeve që bëjnë”, tha Jahiri ndër të tjerash.

Kujtojmë se Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare ka filluar që nga java e kaluar dhe do të vazhdojë deri në fund të kësaj jave duke bërë bashkë albanologë, profesorë, studiues e dashamirë të gjuhës shqipe./Zëri