Rrëfimi im për Oliver Dragojeviqin

Kultura August 20, 2018 - 08:35

Ikonat e muzikës kroate mjerësisht kanë filluar të shkojnë. Duhet përmendur vetem këta emra: Robiqi, Golobi, Britviqi, Vukovi, Shpishiqi, Dediqi e tjerë. I fundit është Oliver Dragojeviqi. Në një rast Oliver Dragojeviqin disa gazeta e kishin prezantuar si legjendë të muzikës ish- Jugosllave. Kjo është në rregull vetëm për ato gazeta që shërbehen nga Beogradi. Në Kroaci kjo nuk ndodh fare.

Oliveri konsiderohet ikonë e muzikës dalmatinase dhe kroate. Në vitin 1991 kishte ndodhur pavarësia e Kroacisë. Çdo gjë kishte ndryshuar. Ky ndryshim e kishte përfshirë edhe artin dhe muzkën kroate. Kështu, për këngëtarët kroatë ishte tretur cilësimi si legjenda të muzikës jugosllave. Është mirë që rrugëtimin muzikor të Oliver Dragojeviqit e bazoj në rrëfimin tim autentik dhe në komunikimin e shpeshtë me të. Edhe para viteve të ’90-ta ai ishte bërë emër i madh në muzikën kroate. Që nga viti 1974 u bë pjesëmarrës i rregullt në festivalin ndërkombëtar të muzikës “Split.” Që nga ajo kohë ishte krijuar trekëndëshi Oviler Dragojeviqi - Zdenko Runjiqi dhe Jaksha Fiamengo. Pasoi një numër i madh i këngëve dhe shansonave dalmatinase me ndikim në muzikën kroate, siç janë: “Bez tebe”, “Nocturno”, “Molitva za Magdalenu”, “Nasoj ljubavi je kraj”, “Tko sam ja da ti sudim”, “Trag u bezkraj”, “Lijepa bez duse”, “Brod u boci”, “Stine”, Djeni” e të tjerë. Tani mund të them se këngët e tij “Pulëbardha dhe unë” dhe “Cesarica” u bënë ndër 10 këngët më të mira të 100 vjetëve të fundit në Kroaci. Pulëbardhat dhe loja lazdrane e tyre në qiell krijojnë ndjesi të veçantë për dalmatinasit. Nëpërmjet pulëbardhave tregohet edhe shpirti shpërthyes dalmatinas.

Pas vdekjes së Zdenko Runjiqit ai e vazhdoi shpërthimin muzikor me autorë të tjerë e sidomos me Gibonnin, Kalogjeron, Gelon dhe të tjerë, të cilët shkruan këngë dhe bënë aranzhmane të paharruara për të. E quajtën edhe “Ujku i vjetër i detit”. Vërtet ditëve të verës kohën e kalonte në anijen e tij personale “Marko.” Punonte zakonisht gjatë vjeshtës dhe dimrit. Ishte dashuruar në valët e detit dhe në pulëbardhat e detit. Në të vërtetë karriera muzikore e tij ka kuptim vetëm kur përmendet deti, anijet dhe pulëbardhat. Ishte instrumentist i rrallë. Punonte sidomos me kitarë dhe me piano. Kur shoqëronte me këto instrumente vërtet shpërthente shpirti i tij muzikor.

Mbahet mend refuzimi i tij që të mos këndojë në Serbi dhe në Mal të Zi ngase këto dy shtete e kishin sulmuar Kroacinë e tij. Të njëjtën gjë e kishte bërë edhe Mate Kovaçi. Mbahet në mend sulmi dhe shkatërrimet e ushtrisë serbo-malaziase në qytetin e famshëm të Dubrovnikut dhe në qytetet e tjera kroate. Këtë refuzim e mbajti deri në vdekjen e tij. Disa nga Kroacia e kishin vizituar Serbinë (Tereza Kesovija, Arsen Dediqi, Gabi Novak, Massimo Saviqi e të tjerë). Ai haptas e bëri një refuzim të tillë, edhe pse i premtoheshin para të mëdha për koncerte në Beograd. Sigurisht këtë averzion e ndërlidhte me qeverinë e Serbisë dhe politikën mesjetare të saj për okupimin e territoreve të huaja edhe të Kroacisë. Edhe medieve të Beogradit u thoshte se mund ta dëgjojnë sa të duan këngën e tij, por këmba e tij në Serbi nuk shkel kurrë. “Le të më duan sa të duan serbët, por unë u them jo”, përsëriste Oliveri. “E dua Kosovën, e di se kam shumë adhurues, por vendimet e viteve të ’90-ta, kur Kosova ishte e okupuar nga Serbia, padrejtësisht e kanë përfshirë edhe Kosovën e pavarur. Le të vazhdojnë kosovarët të vijnë në koncertet e mia në Shkup”, thoshte ai.

Ai bënte koncerte të rregullta vjetore në Shkup të Maqedonisë, por duhet pranuar se audiencën më të madhe e kishte nga Serbia dhe nga Kosova. Kështu funksiononte kjo balancë. Në periudhën e pasluftës një mik imi nga “IPKO” me luti që të mundohem ta sjellë Oliverin në Prishtinë me rastin e një përvjetori të kësaj kompanie. U mundova ta bëja një gjë të tillë. Mirëpo reagimi i tij refuzues ishte se me kohë ishte deklaruar për mosshkuarje në disa vise të ish-Jugosllavisë. Në vitin 2006 e kisha një takim me të në një restorant të njohur në Split. Që në hyrje të korridorit të atij restoranti vërejta një numër të portreteve. Në interesimin tim për këto portrete m’u përgjigjën se janë të artistëve dhe të muziktarëve splitas të vdekur. I fundit si portret qëndronte Zdenko Runjiqi. Në interesimin tim për të hyrë brenda m’u përgjigjën se ky lokal është i mbyllur. Mund të hyjnë vetëm ata që janë të regjistruar. Në pyetjen e tyre se nga vij u them se jam nga rruga e Splitit në Prishtinë. Më kuptuan për synimin tim. Në njoftimin se do të takohem me Oliver Dragojeviqin me dëshirë lejuan që të ulem në tavolinën e rezervuar të tij. Sigurisht se në këtë korridor të restorantit tani do të vendoset edhe portreti i Oliler Dragojeviqit si i fundit i vdekur nga ky komunitet.

Duhet pranuar edhe admirimin e gjeneratave të vjetra të Kosovës për Oliverin. Kështu një mik imi, këngëtari Besnik Krajku, kishte vendosur të përkthente dhe të këndonte disa këngë të tija në gjuhën shqipe. Ia kishin përkthyer disi tekstet dhe u bënë aranzhmanet e reja. Në interesimin dhe në kërkesën time që megjithatë për hir të pronësisë së këngëve të njoftohej Oliveri, ai u përgjigj se nuk e ka telefonin e tij dhe se që nga vitet e ’70-ta nuk e ka kontaktuar atë personalisht. Kuptohet për hir të korrektësisë personalisht e kontaktova Oliverin dhe u ngazëllua për këtë sjellje në Kosovë. Për pronësi me sugjeroi të kontaktoj gruan e Zdenko Runjiqit, Vedranen dhe të kërkoj koncesione autoriale. Këtë nuk e bëra pasi në Kosovë nuk konsiderohej si problem çështja e parregulluar e pronësisë intelektuale dhe e të drejtave të autorëve. Kuptohet, në Kroaci do të ndodhnin implikacionet lidhur me pronësinë muzikore. Në dy vjetet e fundit bëmë përpjekje që të takohemi. Sa herë që isha në Split ai ishte jashtë. Megjithatë, një herë isha në rrugë për Split dhe në njoftimin tim se mund të takohemi ai më thotë se është në rrugë për në SHBA. Një mik imi (Sinan Vllasaliu) me njoftoi se kishte qenë prezent në koncertin e tij në Amerikë. I kishte bashkuar shumë njerëz të viseve të ndryshme të Ballkanit.

Gjatë kalimit të funeralit të tij nga Spliti drejt Vela - Lukës ishin shumë njerëz, anije dhe pulëbardha. Vërehet një prezencë e madhe e simbolit të Oliverit - pulëbardhat. Fitohej përshtypja se në çdo anije dhe barkë qëndronin pulëbardhat. Pulëbardhat e kishin përcjellë deri në shtëpinë e fundit në Vela - Lukë. Sikur të dinin edhe ato se po largohej më i dashuri i tyre. Disa ditë pas varrimit në telefonin mobil të tij e dërgova një mesazh ngushëllimi. Për çudi ende punonte telefoni i tij. Kjo tregon se legjendat e tilla nuk vdesin./ZË
RI