Vdes mbretëresha e muzikës soul Aretha Franklin

Kultura August 18, 2018 - 11:16
Lexo detajet

Aretha Franklin, këngëtarja që ishte fituese e shumëfishtë e çmimeve “Grammy”, karriera e së cilës ka kaluar shtatë dekada, ka vdekur në moshën 76-vjeçare, shkruan "Zëri". 

Mbretëresha e muzikës soul dhe artistja e hiteve si “Respect”, “Think And I Say A Little Prayer”, ka vdekur në Detroid pas një sëmundjeje të rëndë disavjeçare, raporton “Telegraph”. Një i afërm i familjes së saj tregoi se këngëtarja është dërguar të hënën në spital, pasi gjendja e saj ishte keqësuar.

Franklin, e cila u diagnostikua me kancer në vitin 2010, u detyra të anulojë një pjesë të koncerteve për shkak të shëndetit dhe të sëmundjes, ku mjeku e kishte urdhëruar të pushonte për dy muaj rresht. Në shkurt të vitit të kaluar këngëtarja kishte njoftuar se do t’i anulonte turnet e saj pas publikimi të albumit të fundit.

Herën e fundit kur u shfaq në skenë Frankin ishte në nëntor të vitit 2017, për fondacionin “Elton John AIDS” në Nju-Jork dhe në koncertin e saj të fundit publik që e kishte mbajtur në Filadelfia në gusht të vitit 2017. “Ishte një shfaqje e mrekullueshme pasi Aretha tashmë ishte duke luftuar lodhjen dhe dehidrimin”, kishte shkruar Roger Friedman, duke përshkruar shfaqjen e saj të fundit në Filadelfia.

Franklin e zëri i saj i veçantë dhe i fuqishëm u bë i famshëm në vitet 1960, pasi filloi të dilte si këngëtare e ungjillit, duke arritur sukses masiv global me hitet e saj shpirtërore dhe të paharrueshme.

Ajo ka shitur më shumë se 75 milionë kopje të albumeve të saj në mbarë botën dhe mori 18 çmime “Grammy”. /Zëri