Dua Lipa thotë që albumi i dytë do të jetë shumë i sinqertë

Kultura August 17, 2018 - 10:36

Dua Lipa, ylli 22-vjeçar i muzikës pop, shumë e njohur dhe e dashur për publikun, aktualisht është duke punuar për albumin e ardhshëm i cili do të ndjekë atë debutuesin e vitit 2017 të vetëtitulluar “Dua Lipa”. Këngëtarja ka premtuar se ky album do të jetë shumë “i sinqertë” dhe përmes tij dëshiron t'ua bëjë me dije më të afërmeve të saj sa shumë rëndësi kanë për të, shkruan sot gazeta "Zëri".

Siç raporton gazeta “Daily Star”, Dua ka treguar se edhe ky album i takon zhanrit pop, por do të ketë edhe elemente të muzikës soul dhe do të jetë i sinqertë për shkak se flet për gjërat që këngëtares i kanë ndodhur. "Albumi është pop, por është gjithashtu edhe më shumë shpirtëror, është shumë i sinqertë. Procesi i shkrimit ka ndryshuar deri diku me kohën, por gjithmonë filloj me gjërat që kanë ndodhur në jetën time. Gjithmonë ndihem sikur kam shumë për të folur. Kur kaloj nëpër diçka unë i shkruaj të gjitha", ka thënë Dua.  

Ndërkohë krijuesja e hitit "One Kiss" gjithashtu përmes këtij disku ka vendosur t’i nderojë prindërit e saj dhe ndikimin që ata kanë pasur në karrierën muzikore të këngëtares. "Unë kam qenë e rrethuar nga muzika që në moshë të re. Babai im ishte muzikant dhe muzika gjithmonë luhej nëpër shtëpi, kështu që gjithmonë ka pasur një ndikim të madh në mua.  Mendoj se kam shkruar këngën time të parë kur kam qenë rreth pesë vjeçe. E kam shkruar atë me babanë tim në shtëpi si një shaka, sepse e kam shkruar atë për nënën time”, ka treguar këngëtarja.

Komentet e saj rreth albumit të ardhshëm vijnë pasi ajo këmbëngul se duhet të ketë një përfaqësim më të mirë të artisteve femra midis interpretuesve në ceremonitë e ndarjes së çmimeve. “Duhet të shohim shumë më shumë artiste femra dhe shumë më shumë shfaqje të tyre në ceremoni çmimesh, e shumë më tepër nominime. Ndihem sikur barazia në industrinë e muzikës është diçka që nevojitet shumë më tepër", u shpreh Dua.

Albumi i parë i këngëtares doli në vitin 2017 me plot 12 këngë, të cilat u shndërruan në hite si “Be The One”, “Hotter Than Hell”, “IDGAF”, “Blow Your Mind” e “New Rules”. Zëri

F.G