Tri seri dokumentare për këtë verë

Kultura August 15, 2018 - 09:13

Nëse një nga mënyrat përmes të cilave ju zgjeroni njohuritë tuaja ose edhe kaloni kohën e lirë janë filmat dokumentarë ose seritë televizive, atëherë sot në gazetën “Zëri” ju prezantojmë  tri seri dokumentare të cilat prekin tematika të ndryshme.

Luan Morina, kritik i filmit dhe i televizionit, u propozon lexuesve të “Zërit” seritë “One Strange Rock”, “Blue Planet 2”, si dhe “Parts Unknown 11”.

“One Strange Rock”

Ka shumë tregime audiovizuale për planetin tonë nëpër periudha të ndryshme. Tek “One Strange Rock” Will Smith në rolin e moderatorit, i ndihmuar nga historitë e tetë astronautëve të cilët kanë kaluar në total mbi 1000 ditë në qiell, na sjell një portret të mahnitshëm të planetit tonë. I kombinuar nga rrëfimet e këtyre astronautëve që kanë parë “këtë guri të çuditshëm” nga qielli, bashkë me shpjegimet e detajuara të proceseve më të thjeshta që ndodhin çdo ditë, çdo sekondë në planetin tonë, “One Strange Rock” sjell planetin tonë në një perspektivë nga e cila ndoshta nuk e kemi menduar kurrë më parë.

“Blue Planet 2”

Pas “Planet Earth 2”, doajeni i programeve dokumentare David Attenborough dhe skuadra e tij sjellin madhështinë e planetit tonë të mbuluar me ujë. Shtatë episode të incizuara me teknologjinë më të avancuar do t’ju lënë pa frymë nga bukuritë e planetit tonë. Seria nis me botën e re ujore, me kafshët dhe me format tjera jetësore, disa nga të cilat nuk janë prekur kurrë nga drita e diellit. Dhe krahas pasqyrimit të mrekullive ujore, Attenborough e skuadra na sjellin edhe ndikimin tonë, jo vetëm indirekt, në shkatërrimin e kësaj bote. Nga ngrohja globale deri te ngufatja e oqeaneve dhe e balenave foshnje me plastikë, kjo seri na sjell edhe injorancën tonë në ruajtjen e botës ujore që na lë pa frymë.

“Parts Unknown 11”

Anthony Bourdain mund të mos jetë më, por vepra e tij e mrekullueshme do të rrojë përgjithmonë. Kuzhinieri dhe udhëtari i mirënjohur, i cili mori jetën e tij disa javë më parë, na ka lënë 11 sezone me 96 episode në total të serisë së tij të fundit udhëtuese “Parts Unknown”. Nëse nuk e keni parë më herët këtë seri që transmetohet në CNN, keni humbur udhëtime nëpër lokacione me kultura të ndryshme jo vetëm gatimi. Nuk është e domosdoshme të shikohet nga episodi i parë. Si një dokumentar-reality udhëtimi, Bourdain në çdo episod vizitonte nga një vend të ndryshëm. Nga vendet e harruara amerikane si Virgjinia Perëndimore e deri në Armeninë e zhytur në konflikt të ftohtë me fqinjët e tyre, Bourdain viziton edhe gjashtë vende tjera këtë sezon të fundit. Si ka ndryshuar Berlini gati 30 vjet pas rënies së murit, historia e çuditshme e Hong Kongut e deri te zakonet bizare në Butan – tetë episode për t’i pasuruar njohuritë me kultura dhe me zakone të ndryshme nga anembanë bota. /ZËRI/