Një roman si kujtesë e regjimit komunist

Kultura August 15, 2018 - 09:03

Letërsia bashkëkohore njeh disa romane, të cilat janë reflektim i dekadave komuniste në Shqipëri. Një ndër ta është edhe romani “Tenxherja” i shkrimtarit Agron Tufa shkruan sot gazeta "Zëri". 

Në qendër të ngjarjes që rrëfen ky roman i shkrimtarit dibran është personazhi i Filipit. Filipin si personazh kryesor lexuesi i Tufës e njeh përmes narratorit, që është i vëllai i Filipit, Behari. Ai tregon me dhembje e admirim historinë e vëllait të tij të madh. Filipi është protagonisti mbi të cilin bie projeksioni i romanit të Agron Tufës “Tenxherja”. Figura e këtij personazhi kalon nëpër disa etapa në këtë libër. Tufa është kujdesur që historinë e shqiptarit të ri, i cili kalon 10 vjet në burg, ta japë me hollësi nga fillimi. Nga një djalë që adhuron leximin, një adoleshent që kujdeset për vëllezërit e motrën, një i ri punëtor që kalon edhe nëpër “shfrenimin e rinisë” e pastaj i kthehet punës i penduar e deri te një i dënuar padrejtësisht që përjeton 10 vjet në një nga burgjet më famëkeqe të Shqipërisë komuniste. Kështu personazhi i Filipit rritet dhe plaket për të mbetur në fund në një udhëkryq, teksa lexuesi i Agron Tufës shfleton faqet e romanit “Tenxherja”.

Romani është inspiruar nga ndodhitë në sistemin komunist që kanë ndërruar fatin e shumë të rinjve shqiptarë, e rrjedhimisht edhe të familjeve të tyre. Me dëshirën për të treguar absurditetin në shumë raste të sistemit komunist, Tufa ka zgjedhur të rrëfejë historinë e Filipit, që paraqitet si një nga shumë të rinjtë që u dënuan për një vepër të pakryer. I madh është numri i atyre që vuajtën burg si rezultat i pretendimeve të sistemit se dëshironin të tradhtonin kombin e të arratiseshin, e të larta janë edhe shifrat e tyre që u vranë nëpër kufi. Misioni që Tufa ia vesh Filipit është që në letërsinë bashkëkohore shqipe të bëhet zëri i atyre që u dergjen burgjeve famëkeqe të Shqipërisë.

Hakmarrja ndaj tërë familjes që ishte praktikë e shtetit enverist del dukshëm në këtë roman, kur dënimi i Filipit vjen si pasojë e veprimeve aspak në përputhje me sistemin që dikur i ati i tij kishte kryer. Dënimi që Filipit ia bën shteti Tufa e paraqet si ndëshkim të pushtetit ndaj babait të tij, saktësisht ndaj familjes së Blanajve. Shkrimtari ka zgjedhur që përmes një historie, që në shikim të parë mund të tingëllojë e thjeshtë, të rrëfejë absurditetin e sistemit enverist kur bëhej fjalë për te dënimi/internimi/vrasje e atyre që konsideroheshin “armiq të popullit”. Kjo është një histori tipike e kohës ku është vendosur, njëherë babai i shënjuar si armik, përgjithmonë tërë familja e tij të shënjuar si armiq të shtetit.

Romani ka një dinamikë në mes të figurës në mungesë të vëllait të madh dhe personazhit kryesor që e sublimon këtë figurë të vëllait të madh nga dhembja dhe absurdi i fatit që shtjellohet në kalimin e kohës nën sistemin enverist të komunizmit. Narratori formësohet duke ndjekur dashurinë për vëllain e madh në mungesë, është njerëzia brenda tij, nevoja “për të vazhduar” dashurinë ndaj atij që e do, në këtë rast vëllait të madh, dhe që e ruan nga shthurja.

Tenxherja e lënë si amanet nga i burgosuri i pushkatuar, lënë babait të narratorit në këtë roman, i përdorur në gjyqin që i bëhet Filipit si dëshmi, është ngecja e logjikës dhe kalimi në çnjerëzoren e këtij sistemi. Ideologjia e këtij sistemi, e paarritshme për t’u kuptuar nga zbatuesit e saj, arrin në një të vërtetë të përhershme që duhet provuar në secilën situatë.  

Një i shënjuar si tradhtar një herë do të mbetet tradhtar me tërë të afërmit e tij përgjithmonë, pavarësisht fakteve dhe pavarësisht asaj që është e vërteta reale.

Gjyqi që i bëhet Filipit lexuesit mund t’i ngjajë edhe kafikan, sepse ai dënohet për diçka që s’e ka bërë, për diçka që s’ka asnjë provë. Akuzohej se donte të arratisej nga Shqipëria për në Jugosllavi sepse kishte lexuar disa libra të ndaluar, por e kapën rrugës për në punë pa dëshminë më të vogël për planin që aludonte gjykata. Për këtë ai vuajti 10 vjet burg. Tufa ka zgjedhur t’i japë lexuesit një perspektivë të veçantë. Në vend të vuajtjeve të të burgosurit brenda grilave, ai na sjell përpëlitjet e të vëllait, dhimbjet e kësaj dekade, padrejtësi dhe krisjen që ngjarje të tilla kanë shkaktuar në mjediset familjare asokohe.

“Tenxherja” e Tufës është një nga ato romane ku ndihet barra e rëndë që mbajtën të përndjekurit në kohën e Shqipërisë komuniste. Ky roman vjen si pasqyrë për mbijetesën e shqiptarëve nën sistemin enverist. Përmes familjes Blanaj arrijmë ta ndiejmë e ta përjetojmë fatin e trishtë të shumë familjeve shqiptare, si dhe t'i bashkëndiejmë padrejtësitë që u bëheshin nga më të fortit.

Nëpërmjet shtjellimit real të ngjarjes në roman autori na lidh shpirtërisht me shqiptarët e asaj kohe, me mosrevoltimin dhe heqjen dorë nga drejtësia. Nëse na duhet të veçojmë se çka e dallon këtë roman nga dhjetëra romane tjera të shkruara nga vitet ’90-të e tutje që e kanë pothuajse të njëjtin frymëzim, atëherë mund të përgjigjemi shkurt:

Atmosfera e thjeshtë familjare, ambienti idilik dhe rrjedha e jetës së një familjeje normale. Tufa arrin të na e sjellë frymën e diktatit komunist edhe kur ngjarjet i vendos në fshat, pa pasur nevojë ta çojë lexuesin në zyrat e partisë ose t’i prezantojë parullat politike. Ndikimi i sistemit shtrihet e vjen natyrshëm deri në çatinë ku fëmijët e një familje bëjnë gjumë e edhe në shkollë kur për arsye politike ata nuk shihen të barabartë me të tjerët. Kjo pra është ajo se çfarë e bën romanin “Tenxherja” të Agron Tufës një kujtesë të veçantë të periudhës komuniste./ZËRI/