Premtohet mbështetje për projektet e trashëgimisë kulturore që sjellin rezultate

Kultura August 14, 2018 - 09:20

Ministri i Kulturës, Rinisë, dhe Sportit, Kujtim Gashi, gjatë ditës së djeshme ka vizituar lokalitetin e Dresnikut në Klinë për t’i parë nga afër gërmimet arkeologjike që po bëhen nga Instituti Arkeologjik i Kosovës.

Ministri Gashi tregoi se qëllimi i kësaj vizite ishte bashkëbisedimi me stafin dhe me drejtuesit e Institutit Arkeologjik të Kosovës për nevojat shtesë buxhetore që ka ky projekt.

Ai e vlerësoi këtë vend si njërin prej lokaliteteve shumë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore. Gashi tregoi se është i interesuar që bashkë me institucionet përkatëse ta formojnë komisionin për hartimin e planit të menaxhimit jo vetëm për lokalitetin e Dresnikut, por edhe për lokalitete të tjera.

Ministri i Kulturës premtoi se do të ndajnë mjete shtesë financiare për të gjitha projektet e trashëgimisë kulturore që sjellin suksese dhe rezultate, në mënyrë që puna dhe rezultatet të vazhdojnë. “E kam thënë edhe në fillim se të gjitha projektet dhe institucionet vartëse të trashëgimisë kulturore, por edhe tjerat, ato që sjellin rezultate dhe suksese ne do t’u rrimë gati dhe do të jemi të gatshëm që të ndajmë mjete shtesë për mosndërprerjen e punës, sepse si Ministri e kemi thënë edhe në fillim të mandatit se viti 2018 do të jetë vit i trashëgimisë kulturore dhe kjo po dëshmohet duke pasur parasysh që po zhvillohen punime në të gjitha lokalitetet”, u shpreh Gashi.

Udhëheqësi i projektit të gërmimeve, Elvis Shala, tha se nëse MKRS-ja vazhdon financimin e këtij projekti, ashtu siç ka bërë për shtatë vjet me radhë, Dresniku për një kohë të shkurtër do të shndërrohet në vend të rëndësishëm për vizitorët. “Nëse vazhdon ky intensitet i financimit nga Ministria e Kulturës besoj që për një kohë shumë të shkurtër Dresniku do të jetë njëri prej vendeve më të rëndësishme, të vizitueshme për turistët që vijnë në Kosovë”, tha Shala.

Nga gërmimet e deritashme në këtë lokalitet janë zbuluar dy pallate dhe muri rrethues, të ndërtuara në fund të shekullit III, në kohën e Perandorisë Romake. Arkeologët ende nuk kanë arritur të zbulojnë në kohën e cilit perandor është ndërtuar pallati me dy pjesë./ZËRI/