“Anibar” hap dyert

Kultura August 14, 2018 - 09:12

Festivali i cili gjallëron jetën kulturore të qytetit perëndimor të Kosovës, Pejës, ka nisur këtë të hënë. “Anibar” ka ndezur ekranet për të shfaqur para publikut pejan dhe jo vetëm për një javë rresht filma të animuar shkruan sot gazeta "Zëri". 

Edicionin e nëntë ky festival e ka nisur me ceremoninë tradicionale të hapjes, si dhe me shfaqjen e pesë filmave. “Intimity” nga Zvicra, “Between Us Two” nga Singapori, “Augenblicke – A Blink Of An Eye” nga Gjermania, “Ming” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe “Bloeistraat11”, një bashkëpunim mes Belgjikës dhe Holandës ishin të parët nga të gjithë filmat e programit që u shfaqën në Pejë.

Në konferencë për medie, të mbajtur para disa ditësh në Prishtinë, drejtori i “Anibar”-it, Vullent Sanaja, tregoi se për t’u bërë pjesë e festivalit “Anibar” kanë aplikuar gjithsej 1059 filma, nga të cilat janë zgjedhur 215 që do të shfaqen në katër kinema të qytetit të Pejës, dy nga të cilat do të jenë të hapura, ndërsa dy të mbyllura.

Një risi që ky edicion do të sjellë është edhe shfaqja e tre filmave të metrazhit të gjatë, përveç atyre të shkurtër që ka shfaqur çdoherë.

Sanaja gjithashtu rikujtoi se temë ose slogan i këtij edicioni të “Anibar”-it do të jetë ndarja 50/50, pra barazia gjinore dhe fuqizimi i grave në shoqëri e sidomos në fushën e animacionit. Ai përmendi edhe hapjen e akademisë së animacionit në Prishtinë edhe në Pejë ku ngjashëm pasqyrohet kjo përqindje e pjesëmarrjes së gjinisë femërore. “Këtë vit është hapur Akademia e Animacionit në Pejë dhe në Prishtinë. Edhe në programin e Edukimit në Prishtinë shumica e studentëve janë vajza dhe për këtë e kemi parë të rëndësishme t’i kemi këto diskutime tash, në mënyrë që kur t’i kryejnë studimet të vazhdojnë të merren me këtë lëmi”, shtoi Sanaja.

Me temën 50/50 ndërlidhen edhe disa panele, të cilat do të zhvillohen në kuadër të festivalit e që do të shoqërohen me pjesëmarrjen e animatorëve shumë të famshëm. Një ndër to është edhe Luce Grosjean nga Franca, e cila do të prezantojë një program të përgatitur veçanërisht për këtë edicion të “Anibar”-it, i cili titullohet “Vizioni i grave rreth seksit në filmin e animuar”.

Po ashtu prezantim do të ketë edhe nga Kendra Hallaand, animatore e producente shumë e njohur, punën e së cilës mund ta gjejmë te filmat si “Hercules” dhe “Atlantis”.

Përveç filmave, sivjet “Anibar” sjell edhe një program të pasur muzikor. Netët e muzikës në kuadër të këtij festivali të hënën u hapën me grupin “Ambasadi”, kurse këtë të martë vijojnë me muzikantin Dren Abazi dhe grupin “Zig Zag Orchestra”, që i lënë vend të mërkurën grupit “Gamblemania”.

Mbrëmja e së enjtes në “Anibar” është e rezervuar për këngëtaren e mirënjohur të xhazit Elina Dunin për të vazhduar pastaj me dy mbrëmje që i takojnë muzikës rok, të premten dhe të shtunën, respektivisht me grupet “Monochrome” dhe “Blla Blla Blla...”. Dita e fundit e “Anibar”-it përfundon me grupin “Offchestra”, si dhe “Tomoyoshi” nga Japonia, i cili siç premtojnë organizatorët, do të sjellë “muzikë xhungle”.

Festivali “Anibar” organizohet nga organizata me të njëjtin emër, e cila është formuar nga një grup i të rinjve dhe i artistëve të cilët kanë dëshmuar entuziazmin dhe vizionin e tyre për të promovuar kulturën e filmit të animuar në pesë edicionet e fundit të festivalit, gjithashtu duke demonstruar kapacitetet e zhvilluara për të organizuar ngjarje të mëdha.

“Anibar”-i ka investuar në kapacitetin e zhvillimit të rinisë dhe të fëmijëve nëpërmjet trajnimeve, punëtorive, debateve dhe aktiviteteve të tjera që u mundëson të gjithë artistëve ballkanikë të rrisin dukshmërinë e tyre në tregjet ndërkombëtare.

Bashkë me gazetën “Zëri” deri në mbylljen e “Anibar”-it më 19 gusht, do të botohet edhe shtojca e këtij festivali përmes të cilës do të informoheni më detajisht për aktivitetet që do mbahen në Pejë./ZËRI/