Vdes në moshën 85-vjeçare nobelisti V.S. Naipaul

Kultura August 13, 2018 - 08:15

Shkrimtari dhe fituesi i çmimit “Nobel” V.S. Naipaul, i lindur në Trinidad, por që jetoi shumicën e jetës së tij në Angli, vdiq në shtëpinë e tij në Londër të shtunën, në moshën 85-vjeçare, raporton “CNN” shkruan sot gazeta "Zëri". 

Gjatë ndarjes së Çmimit “Nobel” për Letërsi në vitin 2001 Akademia Suedeze lavdëroi Naipaulin për kombinimin e zhanreve në stilin e tij, i cili i detyron lexuesit “të shohin praninë e historive të shtypura”.

Juria e çmimit “Nobel” veçoi si “kryeveprën” e Naipaul krijimin e vitit 1987 të quajtur “The Enigma of Arrival” (Enigma e Mbërritjes). Libri i tij i parë ishte romani “The Mystic Masseur” i vitit 1957.

Tituj të tjerë përfshijnë “Miguel Street” (Rruga Migel), “A House for Mr. Biswas” (Një shtëpi për z. Biswas), me një protagonist të bazuar në babanë e Naipaul. Pastaj edhe “The Loss of El Dorado” (Humbja e El Dorados)”, një histori koloniale e Trinidadit dhe “Beyond Belief: Islamic Excursions among the Converted Peoples” (Përtej Besimit: Ekskursione islame në mesin e njerëzve të konvertuar), histori në lidhje me rajonet lindore të botës islamike.

Vidiadhar Surajprasad Naipaul ka lindur në vitin 1932 pranë Portit të Spanjës, Trinidad dhe Tobago, me prejardhje nga emigrantë hindu nga India. Ai shkoi në Angli në moshën 18-vjeçare për të studiuar në Universitetin e Oksfordit.

Naipaul gjithashtu fitoi çmimin “Booker” në vitin 1971 në mesin e nderimeve të tjera letrare.  Ai e mori edhe titullin e “kalorësit” nga Mbretëresha Elizabeth në 1990-n./ZËRI/