Përfundon “Sunny Hill Festival”

Kultura August 13, 2018 - 08:09

Ka përfunduar të dielën festivali treditor “Sunny Hill Festival”, që mblodhi në Prishtinë artistë shqiptarë me famë botërore si Dua Lipa, Action Bronson, Stanaj e Gashi. Përveç këtyre artistëve me prejardhje shqiptare që po prekin majat e suksesit në botë, në skenën e këtij festivali mes datave 10, 11 e 12 gusht u ngjiten edhe artistët ndërkombëtarë si Grace Carter, Martin Garrix, Col3trane e Marshall Jungle shkruan sot gazeta "Zëri".

Publiku i Kosovës pati shansin t’i shihte të gjithë këta artistë nga afër fundjavën që lamë pas në Parkun e Gërmisë, i cili me miratimin e Komunës së Prishtinës ishte tri ditë në shërbim të këtij festivali.

Këngëtarja prishtinase Dua Lipa, karriera e së cilës po lulëzon në skenën ndërkombëtare, vendosi të organizojë në kuadër të fondacionit të saj “Sunny Hill Foundation” një festival të përmasave të tilla, në mënyrë që të ndihmojnë në vendosjen e Kosovës në hartën kulturore të botës, si dhe të grumbullojë disa fonde përmes të cilave do ta ndihmojë rininë e Kosovës. Është bërë e ditur se 30% nga të hyrat e biletave të shitura për “Sunny Hill Festival” do të përdoren për bamirësi nga fondacioni i këngëtares me të njëjtin emër.

Publiku prishtinas e mirëpriti Dua Lipën teksa ajo interpretoi më shumë se një orë natën e parë të festivalit, të premten mbrëma. Siç u shpreh edhe vetë Lipa në skenë, publiku shqiptar ka qenë dhe është përkrahja më e madhe që ajo ka edhe jashtë kufijve. Me entuziazëm u prit edhe reperi shqiptaro-amerikan Action Bronson, i cili erdhi për herë të parë në vendin prej nga e ka prejardhjen. Ky i fundit u ndalu nga Policia e Kosovës nën dyshimin se është hasur në posedim dhe duke konsumuar substancë të dyshuar narkotike, por pas intervistimit me urdhër të prokurorit kompetent është liruar. Përveç Duas e Bronson, publikut shqip i ka folur edhe Albert Stanaj. Muzikanti i ri me prejardhje nga Malësia që gjithashtu performoi për herë të parë në Prishtinë.

Mbylljen e festivalit organizatorët ia besuan njërit prej DJ-ve më të mirë në botë, Martin Garrix. Garrix erdhi në Prishtinë me ftesën e bashkëpunëtores së tij Dua Lipës dhe elektrizoi publikun me performancën e tij rreth 90-minutëshe.

Në anën tjetër, në skenën e “Sunny Hill Festival” u ngjitën edhe disa nga artistët më të famshëm lokalë, duke përfshirë këtu grupin “Jericho”, Genc Salihun, MC Kreshën, Lyrical Son, Ledrin e të tjerë.

Përveçse erdhi për festivalin, qëndrimin e saj në Prishtinë Dua Lipa e shfrytëzoi për t’i ndarë 100.000 eurot e mbledhura nga koncerti i parë këtu, i mbajtur në vitin 2016, i cili kishte natyrë bamirësie. Përmes këtij fondi Lipa ndihmoi shtatë organizata joqeveritare, pesë shkolla të muzikës dhe disa aktivitete kulturore e festivale. Ajo zotohet se “Sunny Hill Festival” do të shndërrohet në diçka tradicionale. A. S. /ZËRI/