Filmi “Distant Constellation” triumfoi në “DokuFest”

Kultura August 13, 2018 - 08:02

Festivali ndërkombëtar i filmit të shkurtër e dokumentar “DokuFest” ka fikur të shtunën mbrëma ekranet e kinemave dhe ka ndarë çmimet e këtij viti, duke mbyllur kështu me sukses edicionin e 17-të më radhë shkruan sot gazeta "Zëri". 

Kësisoj Festivali nëntëditor u mbyll me ceremoninë tradicionale të ndarjes së çmimeve, ku organizatorët fillimisht falënderuan të gjithë, filmbërësit e vizitorët, që përcollën edhe një edicion të “DokuFest”-it. “Nata përmbyllëse e ‘DokuFest’-it është shumë me emocion për neve, sepse arrijmë kulmin e një pune të gjatë e të mundimshme me një grup të njerëzve, që tashmë jemi si familje”, tha ndër të tjera drejtoresha e festivalit, Nita Deda.

Në anën tjetër, edhe drejtori artistik i festivalit, Veton Nurkollari, falënderoi të gjithë ata vizitorë që kanë ndarë kohën e tyre dhe siç u shpreh ai, kanë shkuar në Prizren për të vlerësuar filmat e këtij viti.

Në këtë ceremoni me çmimin kryesor “Best Balkan Wining Film” u shpërblye filmi “Distant Constellation” nga Shevaun Mizrahi, kurse si filmin më të mirë për audienca të reja” festivali “DokuFest” e shpërbleu filmin “Minding the Gap”. Në anën tjetër, në kategorinë “Best Balkan Newcomer” të “DokuFest”-it triumfoi filmi “Momsy”.

Si çdo vit, edhe sivjet publiku i “DokuFest”-it e tha fjalën e vet, duke zgjedhur një film si më të mirin. “Çmimi i publikut” për vitin 2018 shkoi për filmin “Triumf”. Ky film është një dokumentar që flet për Kombëtaren Shqiptare të Futbollit, rrugëtimin e saj drejt Kampionatit Evropian para dy vjetësh, si dhe ndeshjen në Beograd, ku u lëshua droni. Në premierën e këtij dokumentari në “DokuFest” ishin edhe disa nga lojtarët e Kombëtares Shqiptare.

Në anën tjetër, sa u përket filmave kombëtarë si më i miri në “DokuFest” sivjet u shpërblye filmi “Në pritje”, nga regjisorja dhe psikologja Laura Kajtazi-Testa. Ky film flet për çështjen e personave të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë. Filmi “Rutinë” fitoi çmimin e “Distribuimit”, kurse në kategorinë e “Filmave të Shkurtër Ndërkombëtarë” mirënjohje speciale u janë ndarë filmave “Third Kind” dhe “No Man is an Island”. Ndërsa çmimin në këtë kategori e fitoi filmi “Gardhi” i Lendita Zeqirajt.

Në historinë e “DokuFest”-it kjo është hera e parë që një film kombëtar fiton në këtë kategori ndërkombëtare.

Çmimi për “Dokumentarin më të mirë të gjelbër” sivjet në “DokuFest” shkoi për “Wild Relatives”, kurse mirënjohje në kategorinë e të “Drejtave të Njeriut” mori filmi “On Her Shoulders”, ndërsa fitues i kësaj kategorie u shpall filmi “A Woman Captured”. Çmimi “Best International Dox” shkoi për “Meteors” nga regjisori Gurcan Keltek, kurse çmimi “International Short Dox” shkoi për filmin spanjoll “Aliens”, nga Luis Lopez Carrasco. Mirënjohje speciale në kategorinë e “Dokumentarit më të Mirë Ballkanik” mori filmi “Home of Resistence”.

Edhe këtë vit “DokuFest”-i solli  një program maratonik filmash e punëtorish bashkë me mbrëmje muzikore e aktivitete të tjera.

Programi i sivjetmë u nda në 6 kategori dhe përfshiu 260 filma, që u shfaqen në dhjetë kinema të ndryshme në të gjithë qytetin, duke përfshirë edhe kinemanë unike të shtratit të lumit, si dhe kinemanë brenda Kështjellës së Prizrenit.

Duke u frymëzuar nga kënga e Velvet Underground “I’ll Be Your Mirror”, programi i “DokuFest” u shndërrua në pasqyrë të botës ku jetojmë si një pikënisje të asaj se kush dhe çka jemi. Kjo temë e reflektimit u hulumtua përmes kampanjës së Festivalit, si dhe përmes një kombinimi të programit të filmave, të ekspozitave digjitale, të bisedave me artistë, të punëtorive dhe të performancave muzikore.

Festivali nëntëditor karakterizohet me atmosferën e gjallë që krijohet në qytetin historik të Prizrenit, duke tërhequr mijëra turistë ndërkombëtarë, si dhe vizitorë vendorë, të cilët drejtohen e ndihmohen nga  rreth 150 vullnetarë e që punojnë çdo vit për Festivalin.

Përveç rëndësisë që ka për Kosovën në aspektin kulturor, Festivali me mijëra vizitorë ka arritur të ketë ndikim të madh edhe në aspektin ekonomik jo vetëm për qytetin ku po organizohet, Prizrenin, por për të gjithë Kosovën./ZËRI/