MKRS-ja ndan për herë të parë çmimin e arteve pamore “Muslim Mulliqi”

Kultura August 07, 2018 - 08:18

Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit për herë të parë ka ndarë çmimin “Muslim Mulliqi” në fushën e artit pamor në një ceremoni solemne. Këto çmime u ndanë nga Ministri i Kulturës Kujtim Gashi shkruan sot gazeta "Zëri".

Çmimi Kombëtar për Veprimtari Jetësore i është ndarë Muslim Mulliqit, post mortem, të cilin në emër të familjes e pranoi bashkëshortja Resmije Mulliqi. Çmimi Kombëtar për Veprimtari Jetësore po ashtu i është ndarë Akademik Xhevdet Xhafës, ndërsa Çmimi Vjetor për të Arriturat në Fushën e Artit Pamor shkoi për Fatmir Krypën. Dy çmimet e para kanë vlerë monetare prej 5 mijë eurosh, ndërsa i treti ka vlerë prej 3 mijë eurosh.

Ministri Gashi u shpreh shumë i kënaqur që këto çmime po ndahen për herë të parë nga Ministria e Kulturës, të cilat kanë për qëllim motivimin, mbështetjen e artistëve për punë të mëtutjeshme dhe për falënderimin e tyre për kontributin e vazhdueshëm.

“Për herë të parë Ministria i ndanë këto çmime me qëllim edhe të motivimit, por në të njëjtën kohë edhe të shprehjes së falënderimit dhe të mirënjohjes. Si Ministri jemi jashtëzakonisht të interesuar dhe të përkushtuar që të mbështesim pjesën e artit pamor, në mënyrë që të gjithë krijuesve t’u krijojmë sadopak mundësi, kushte por në të njëjtën kohë edhe hapësirë që të punojnë gjatë gjithë jetës në fushën e artit pamor, në profesionin e tyre që kanë zgjedhur”, tha Gashi.

Përzgjedhja e Muslim Mulliqit, e Xhevdet Xhafës dhe e Fatmir Krypës u bë nga juria e përbërë nga Agron Blakqori, Eshref Qahili dhe Kamuran Goranci, të cilët për të vendosur u bazuan në krijimtarinë dhe në kontributin e bujshëm e të suksesshëm të artistëve në jetët e tyre kushtuar artit pamor dhe kontributin në arsimimin e brezave të ardhshëm.

Të gjithë të pranishmit u shprehën shumë të nderuar dhe falënderues për ndarjen e këtyre çmimeve dhe për përkrahjen e Ministrisë së Kulturës.

Resmije Mulliqi, bashkëshortja e Muslim Mulliqit, ne emër të familjes u shpreh shumë falënderuese për ndarjen e çmimit në fjalë dhe e kënaqur me iniciativën, duke theksuar se shpreson që kjo do të kthehet në diçka tradicionale.

Edhe artistët e veprimtarët Xhevdet Xhafa dhe Fatmir Krypa u shprehën mirënjohës, duke përmendur se krijuesit e artit pamor nuk punojnë vetëm për veten e tyre, por edhe për të tjerët.

Ministri Gashi i inkurajoi për punë të vazhdueshme duke premtuar përkrahjen e kësaj Ministrie./ZËRI/