Shtatorja e Çettës drejt përfundimit, lokacioni ende i pavendosur

Kultura August 02, 2018 - 08:54

Përderisa po vazhdojnë debatet për vendosjen ose jo të shtatores së veprimtarit dhe profesorit Anton Çetta në oborrin e Institutit Albanologjik, në qytetin e Ferizajt skulptori Agon Qosa po finalizon punimin e saj.  Teksa shtatorja po bëhet gati Instituti Albanologjik, ku profesori Çetta ka punuar për vite të tëra, po e kundërshton vendosjen e saj në oborrin e tyre. Ata po kërkojnë që shtatores së pajtuesit të gjaqeve t’i gjendet një lokacion më i madh  shkruan sot gazeta "Zëri".

Qosa ka treguar për gazetën “Zëri” se shtatorja trimetërshe e Anton Çettës momentalisht është në argjile dhe së shpejti do të rishikohen edhe detajet që e çojnë drejt përfundimit, kur ajo do të lahet në bronz.

“Puna ka shkuar mirë shumë deri më tani. Tash jemi në fund dhe po presim vajzat e profesor Antonit t’i japin disa mendime për disa detaje të vogla në portret. Momentalisht shtatorja është në argjile, pastaj në fazën tjetër bëhet me gips dhe në fund me bronz duke u finalizuar kështu për t’u vendosur në vendin që do ta caktojnë. Shtatorja e ka dimensionin 3 metra e 10 centimetra. Deri në finalizimin e saj më duhen edhe rreth tre muaj kohë”, tregoi Qosa.

I pyetur për debatet që i ka ngjallur së fundmi shtatorja të cilën ai po e punon, Qosa shprehet se nuk i kanë pëlqyer.

“Nuk më ka pëlqyer qasja e tyre, jo lejohet, jo nuk lejohet. Sa i përket dimensioneve kjo shtatore është e përshtatshme të vendoset aty. Kjo është një shtatore klasike me dimensione moderne dhe i rri vendit. Nuk më ka pëlqyer ky lloj i debatit për lejimin ose moslejimin e kësaj shtatoreje”, përfundoi Qosa.

Në anën tjetër Riza Krasniqi, nga Këshilli Organizativ për Vendosjen e Shtatores së Anton Çettës, i ka thënë gazetës “Zëri” se po presin që Komuna e Prishtinës ta organizojë një takim ndërmjetësues mes tyre dhe përfaqësuesve të Institutit Albanologjik që po kundërshtojnë vendosjen e kësaj shtatoreje në oborrin e tyre.

 “Selim Pacolli na ka premtuar se do të organizojë një takim mes nesh dhe përfaqësuesve të Institutit Albanologjik për të biseduar rreth lokacionit. Ne jemi në një pozitë të palakueshme sepse mendojmë se oborri i Institutit Albanologjik është vendi natyror i kësaj shtatoreje. Profesor Çetta tërë jetën ka punuar në këtë Institut dhe pajtimi i gjaqeve ka nisur nga Instituti. Ata po mendojnë ndryshe”, tha Krasniqi.

Tutje Krasniqi shtoi se si Këshill Organizativ do të dojë që kjo çështje të zgjidhej dhe të mos ketë konflikte. “Duke e ditur çfarë figure ka qenë Anton Çetta nuk duam që kjo çështje të bëhet konflikt dhe që dikush ta përdorë emrin e profesorit për përçarje”, tha Krasniqi.

Ky Këshill Organizativ përbëhet nga Mulla Xhevat Kryeziu, Don Lush Gjergji, Riza Krasniqi dhe dy vajzat e Anton Çetës, Agata dhe Donika.

Gazeta “Zëri” gjatë ditës së mërkurë ka provuar të kontaktojë me nënkryetarin e Komunës së Prishtinës Selim Pacollin për ta pyetur se kur pritet të mbahet takimi i lartpërmendur, por kontakti me të ka qenë i pamundur. Në anën tjetër edhe vetë kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti para pak ditësh përmes një deklarate është zotuar se Komuna e Prishtinës do ta zgjidhë shpejt këtë problem.

Rikujtojmë se Instituti Albanologjik ka refuzuar vendosjen e shtatores së Çettës aty me arsyetimin se duhet gjetur një vend më të madh për shkak të rolit historik që ka pasur Lëvizja e drejtuar nga Çetta.

“Këshilli Drejtues afirmon qëndrimin e Institutit Albanologjik të vitit 2010, duke konsideruar se, për shkak të rolit historik që ka pasur Lëvizja për Pajtimin e Gjaqeve dhe në mënyrë të veçantë të prof. Anton Çettës, vendosja e shtatores së tij do të duhej të bëhej në një shesh të madh të qytetit, i cili njëkohshëm do të pagëzohej me emrin sheshi i pajtimit ‘Anton Çetta’ dhe do të kishte infrastrukturë përcjellëse (fontanë, banka për pushim)”, shkruhet në përgjigjen e IAP-së./ZËRI/

 

Image