Kurti: Shteti nuk i doli në ndihmë Bekim Lumit, ashtu siç nuk i ndihmon dot qindra qytetarë

Kultura July 30, 2018 - 15:29
Lexo detajet

Lideri i lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti përmes një postimi në “Facebook”, ka shkruar për regjisorin Bekim Lumi i cili ka vdekur sot pas një sëmundje të rëndë, shkruan “Zëri.info”.

Kurti e ka ngritur lartë kontributin e Lumit në fushën e kulturës e në anën tjetër ka kritikuar institucionet që nuk i ndihmuan mjaftueshëm atij në ballafaqimin e tij me atë sëmundje.

LEXO EDHE: Haradinaj: Ikja e hershme e Lumit ka lënë një zbrazësi të madhe në artin e regjisë

Ja postimi i plotë i Kurtit:

Vdekja në moshë të re e regjisorit të talentuar dhe profesorit të Universitetit të Prishtinës, Bekim Lumit, i lë të gjithë dashamirësit e teatrit të pikëlluar. Bekim Lumi megjithatë jetoi mjaftueshëm sa për të vënë në skenë, të përshtatura me stilin e vet tejet origjinal, dramat e Ionésco-s, Chekhov-it, Shakespeare-it, Koltés-it, Mroëek-ut etj. por edhe dramatizime të frymëzuara nga tekste të Lorca-s, Fishtës etj.

Imagjinativ me tekstin, rigoroz me rolet, punëtor me aktorët, kreativ për lojën e tyre. Bekim Lumi nuk pranonte më pak se përsosurinë e përfytyruar dhe nuk ndalej as shkurtimisht te suksesi i arritur.

Në fund të jetës së vet, tashmë i sëmurë prej një sëmundjeje të rëndë, shteti i Kosovës nuk qe në gjendje t’i ndihmonte, ashtu siç nuk i ndihmon dot qindra qytetarëve të tjerë, për të paguar kurimin e shtrenjtë. Por ai nuk u thye, dhe në formë testamenti artistik, politik e qytetar, vuri në skenë veprën e njohur të Bertolt Brecht-it, “Arturo Ui”: historia e ardhjes në pushtet të një diktatori, me ndihmën e mafisë, përmes dhunës, por sidomos përmes servilizmit të burokratëve e përmes apatisë dhe frikës së njerëzve të zakonshëm.

Në këto momente dëshirojmë të ngushëllojmë familjarët, kolegët, studentët dhe dashamirët e artit e të jetës së Bekim Lumit. Një mendje e shkëlqyer nuk është më mes nesh./ZËRI