5 libra që duhet t’i lexoni gjatë kësaj vere sipas Bill Gates

Kultura July 26, 2018 - 09:10

Bill Gates, njëri nga mendjet më të ndritura në fushën e teknologjisë dhe të biznesit, ka përpiluar një listë prej pesë librash që duhet t’i lexojmë gjatë kësaj vere. Ai shprehet se i ka rënë në sy se librat e kësaj liste trajtojnë çështje më të thella dhe pyetje të mëdha të jetës.

“Kur e kam përpiluar këtë listë të librave që mund t’i lexoni gjatë verës, kam vërejtur se shumë nga zgjedhjet e mia ‘luftojnë’ me pyetje të mëdha si: Çfarë e bën një gjeni të zgjohet? Pse gjërat e këqija u ndodhin njerëzve të mirë? Nga vjen njerëzimi dhe ku po shkon?”, tregon ai.

Sipas Gates, pavarësisht që temat mund të konsiderohen të rënda, të gjithë këta libra kanë qenë të shkurtër dhe aspak të mërzitshëm për t’u lexuar.

“Pavarësisht temës së rëndë, të gjitha këta libra ishin argëtues për t'u lexuar dhe shumica e tyre mjaft të shkurtër”, shprehet ai. Nëse po kërkoni diçka për të lexuar gjatë muajve në vijim Gates premton se me librat në vazhdim nuk do të zhgënjeheni:

"Leonardo da Vinci" nga Walter Isaacson

Unë mendoj se Leonardo ishte një nga njerëzit më magjepsës që ka ekzistuar ndonjëherë.  Edhe pse sot ai njihet më shumë si një piktor, Leonardo kishte një gamë në mënyrë absurde të gjerë interesash, nga anatomia e njeriut e deri te teatri. Isaacson e ka bërë punën më të mirë që kam parë ndonjëherë në mbledhjen bashkë të fijeve të ndryshme të jetës së Leonardos dhe për të shpjeguar çka e bëri atë aq të jashtëzakonshëm.

“Everything Happens for a Reason and Other Lies I’ve Loved” (Çdo gjë ndodh për një arsye dhe gënjeshtra të tjera që kam dashur) nga Kate Bowler

Kur Bowler, një profesoreshë në Duke Divinity School, ishte diagnostikuar me kancer të zorrës të fazës IV-të, ajo ia vuri vetes si qëllim të kuptojë se pse ndodhi ashtu. A është kjo provë e karakterit të saj? Rezultati është një biografi zemërthyese dhe çuditërisht komike për të besuarit dhe për të kuptuarit e vdekshmërisë sonë.

“Lincoln in the Bardo” (Lincoln në Bardo) nga George Saunders

Mendova se dija gjithçka që duhej të dija për Abraham Lincoln, por ky roman më bëri të rimendoja pjesë të jetës së tij. Ai bashkon faktet historike nga Lufta Civile me elemente fantastike - është në thelb një bisedë e gjatë midis 166 fantazmave, duke përfshirë edhe djalin e vdekur të Lincolnit. Kam marrë njohuri të reja për mënyrën se si Lincoln duhet të ketë qenë i shkatërruar  nga të dyja, nga pesha e pikëllimit dhe nga përgjegjësisë. Ky është një nga ata libra magjepsës, të dykuptimtë, që do të dëshironi t’i diskutoni me një mik pasi ta përfundoni.

“Origin Story: A Big History of Everything” (Historia e origjinës: Një histori e madhe e gjithçkaje) nga David Christian

Davidi krijoi kursin tim të preferuar të të gjitha kohërave, "Big History" (Historia e Madhe). Ai tregon historinë e universit nga Big Bang-u deri te shoqëritë komplekse e kohës së sotme, duke gërshetuar së bashku vështrimet dhe provat nga disiplina të ndryshme në një narrativë të vetme. Nëse nuk keni marrë ende "Big History" (Historinë e Madhe), "Origin Story" (Historia e origjinës) është një prezantim ose hyrje fantastike.

Sido që të jetë, libri do të t'ju lërë me një vlerësim më të madh të vendit të njerëzimit në univers.

“Factfulness” (Faktësia) nga Hans Rosling me Ola Rosling dhe Anna Rosling Ronnlund

Unë ua kam rekomanduar njerëzve këtë libër që nga dita që doli në shitje. Hans, lektor i shkëlqyer botëror i shëndetit, i cili vdiq vitin e kaluar, ju jep një rrugë të shkëlqyer për të kuptuar të vërtetat themelore rreth botës - se si jeta po përmirësohet dhe ku bota ende ka nevojë për përmirësime. Janë fjalët e duhura të fundit nga një njeri i shkëlqyer dhe një nga librat më të mirë që kam lexuar ndonjëherë.

* Rikujtojmë se Bill Gates është investitor, autor, filantropist e biznesmen amerikan dhe njëri ndër krijuesit kryesorë të korporatës teknologjike “Microsoft”. Ai për shumë vite ka qenë në krye të listës “Njerëzit më të pasur në botë” të “Forbes”, duke përfshirë listën e njerëzve pasuria e të cilëve nuk është plotësisht e konstatuar. Zëri