Në kujtim të poetit Podrimja

Kultura July 23, 2018 - 12:59

Këtë korrik janë mbushur gjashtë vjet që kur afër një lumi të vogël, katër kilometra nga qyteti i Francës, Lodeve, ishte gjetur trupi i pajetë i poetit Ali Podrimja. Lajmi erdhi tri ditë pasi ai kishte ndërprerë çdo kontakt me familjen në Kosovë dhe me organizatorët e festivalit të poezisë “Vox de la Mediteran” (“Zërat e Mesdheut”) ku po merrte pjesë poeti atë verë, shkruan sot gazeta "Zëri".

Vdekja e tij bëri jehonë të madhe në mediat vendore e ndërkombëtare pasi bazuar në veprat e tij, u cilësua madje si vdekje e dashur dhe e kërkuar e një poeti të madh. Podrimja vdiq më 22 korrik të vitit 2012 kurse u lind në vitin 1942 në Gjakovë në kohë lufte e rrethanash aspak të volitshme dhe pati një fëmijëri mjaft të vështirë. Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në vendlindje, ndërsa Fakultetin Filozofik, Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, në Universitetin e Prishtinës.

Në vitin 1966 zë punë në gazetën e përditshme “Rilindja”, në rubrikën e kulturës. Më 1976 kalon në edicionin e botimeve “Rilindja”, ku udhëheq bibliotekat: Poezia shqipe, letërsia botërore dhe letërsitë e ish-bashkësisë jugosllave. Podrimja njihet për përmbledhjet e tij poetike nisur nga “Shamijat e përshëndetjeve”(1963), “Dhimbë e bukur” (1967), “Sampo”(1969), “Torzo”(1971), “Lum, lumi”(1982), “Zari”, etj.

Botën e vet poetike poeti e artikulon përmes një sistemi figurativ të konsoliduar (veçanërisht me simbolin dhe metaforën) dhe me një shkallë mjaft të lartë ndjeshmërie. Poezia e tij është epitomë e hermetizmit ku metaforat përbëhen nga disa nivele dhe nën-nivele kuptimore. Manifestimi i kësaj forme poetike u bë i domosdoshëm për poetin, sepse i shërbeu si mburojë kundër sulmeve ndaj ish-pushtetit serb në Kosovë. Pas pavarësisë së Kosovës, poezia e tij rifitoi lirizmin dhe ndjenjën poetike, por pa mundur të dalë krejtësisht nga stili i ngjeshur tradicional shqiptar.

Në shenjë kujtimi e respekti Gjakova e ka  një shesh me emrin e poetit tonë të njohur, Ali Podrimja dhe brenda këtij sheshi ka edhe një bust të poetit. Me një organizim letrar-muzikor, Komuna e Gjakovës pati bërë përurimi i sheshit “Ali Podirmja” dhe zbulimin e bustit të poetit në dyvjetorin e vdekjes (22 korrik 2014). Para adhuruesve të fjalës së shkruar dhe qytetarëve tjerë, Mimoza Kusari-Lila, aso kohe kryetare e Komunës së Gjakovës, me plot emocion ka shprehur ndjenjat për poetin gjakovar Ali Podrimja, i cili u bë i njohur në tërë rruzullin e krijimtarisë letrare-poetike.

Në anën tjetër verën e vitit të kaluar në Gjakovë u hap edhe një park kulturor që mban emrin e poetit Podrimja. Ky park u funksionalizua me iniciativën e një grupi të rinjve, të cilët kanë konsideruar se mungojnë organizimet konstante në kulturë. Pas një fushate 45-ditore online, për mbledhjen e fondeve për aktivizimin në funksion të kulturës të këtij parku, ata ja arritën qëllimin. Ky projekt është joprofitabil dhe ka si qëllim organizimin e kinemasë së hapur dhe aktiviteteve tjera kulturo-artistike si teatri, muzika dhe pikturimi në lokacionin e sheshit “Ali Podrimja”, prapa Shkollës së Muzikës në Gjakovë.

Ednor Hoti (bashkëkrijues i Sektorit 3, OJQ rinore për kulturë), pati treguar për gazetën “Zëri” se përmes kësaj kampanje ata arritën të mbledhin 11.020 euro nga rreth 80 kontribuues te ndryshëm, kurse pos kësaj aplikuan dhe fituan fonde edhe nga MKRS, GIZ-i gjerman dhe Ambasada Amerikane, nëpërmes KUSA-s.

Kësisoj aty tashmë organizohen aktivitete disa herë në javë ku përfshihen shfaqje filmash, mbrëmje muzikore, lexime letrare e diskutime të shumta. Zakonisht hyrja në aktivitetet e këtij parku kushton 1 euro dhe organizatorët të gjitha të hyrat financiare i dërgojnë tek shoqata për fëmijët me down syndrome. Zëri