Konkurrencë e miqësi në 'PriFest'

Kultura July 22, 2018 - 14:25
Lexo detajet

Prishtina është nikoqire e Festivalit të Filmit - "PriFest ", i cili po shënon dekadën e parë të funksionimit.

Ky festival ka filluar më datën 17 dhe përfundon më 22 korrik. Aty janë vënë në konkurrencë zyrtare filmat evropianë, ballkanikë, dokumentarë dhe filma të metrazhit të mesëm.

Radio Evropa e Lirë ka intervistuar disa pjesëmarrës, për të dëgjuar përvojat e tyre në Kosovë.

Katya Trichkova nga Bullgaria, është producente e filmit ‘’Direction’’. I njëjti film është shfaqur edhe në festivalin e Kanës në Francë.

Ajo thotë se është hera e dytë që viziton Kosovën, dhe përshtypjet e saj për këtë vend janë shumë të mira në çdo aspekt.

‘’Kjo është hera e dytë që unë vi në Kosovë . Kam qenë para dy vjetësh me filmin e një regjisori bullgar. Jam duke u kënaqur shumë dhe jam shumë e lumtur që kam arritur të vijë edhe në edicionin e dhjetë të Pri Festit".

"Këtu njerëzit janë shumë miqësorë, të afërt dhe miqësor me njëri tjetrin. Para dy vjetësh kur kam qenë dhe tash, unë shoh zhvillim të madh dhe ndryshim në qytet, pra ndryshim pozitiv".

"Besoj se Kosova do të vazhdojë të zhvillohet edhe më tej. Ne po kënaqemi shumë pasi ndjehemi si në familje, falë njerëzve shumë miqësorë’’, tha Trichkova.

Trichkova potencon faktin se motoja e festivalit të sivjetmë është’’ friendship forever’’ apo ‘’miqësi gjithmonë’’ dhe sic thotë ajo ia ka arritur qëllimit, pasi pikërisht ashtu edhe po ndjehen pjesëmarrësit.

‘’Unë besoj në moton e festivalit ’’ friendship forever’’ që krijon miqësi të reja, miqësi përgjithmonë, sepse ashtu edhe po ndodhë. Sidomos gjatë javës së festivalit ka shumë njerëz të ri entuziast që bëjnë shumë për festivalin, dhe kjo është pjesa më e mirë e festivalit që ne e dëshirojmë. Edhe ne në Sofie të Bullgarisë kemi një lloj festivali, që tash shënon 20 vjetorin, dhe është festival me renome botërore, dhe mendoj se është pak a shumë i njejtë si Pri Film Fest, shtoi tutje’’ Trichkova.

Në anën tjetër Marko Gjokovik nga Maqedonia, regjisor i filmit ‘Ekler’, i cili bën pjesë në katëgorinë e filmave të metrazhit të mesëm, thotë se organizimi i këtij festivali është i cilësisë së lartë.

Ai gjithashtu është duke marrë pjesë edhe në workshopet që janë të organizuara në kuadër të aktiviteteve të Pri Forumit.

‘’Për sa i përket pjesës së festivalit janë në cilësi shumë të mirë dh sa I përket pjesës së aktiviteteve janë perfekt dhe në cilësi shumë të mirë, dhe gjithashtu po më pëlqen shumë mënyra e organizimit të festivalit’’, ka thënë Gjokovik.

Edhe mysafirja nga Turqia, Ipek Yantajm, e cila po qëndron për herë të dytë në Kosovë. Për herë të parë ajo ishte e ftuar në Kosovë si pjesë e jurisë në edicionin e 8-të, të Pri Fest-it.

‘’Më ka pëlqyer shumë dhe kam dashur të kthehem prapë këtë vit. Nuk kam projekt këtë vit, dua vetëm të shikoj filma dhe të takohem me disa shokë dhe të shoh bukuritë e Kosovës. Është festival i vogël, por është shumë mirë i organizuar dhe të gjithë janë të ngrohtë dhe shumë mikpritës. Gjithashtu mund të takosh shumë njerëz gjë që nuk mund ta bësh në festivalet e mëdha. Kështu që, shumë më pëlqen që jam këtu’’, tha ajo.

Tutja, Yantajm shtoi se në Kosovë nuk e ndjen veten si të huaj. Ajo sheh shumë gjëra të përbashkëta mes popullit të saj dhe kosovarëve.

‘’Nuk e ndjej se jam në një shtet tjetër, shoh shumë gjëra të përbashkëta mes Kosovës dhe Turqisë. Ushqimi është turk gjithashtu edhe arkitektura, të gjitha".

"Derisa sa i përket festivalit mendoj se është duke u rritur çdo vit, është shumë mirë, eventet po bëhen më atraktive dhe po me pëlqen kjo gjë. Për një qytet të vogël si Prishtina, kjo gjë është diçka e madhe si dhe nevojitet shumë energji dhe shumë njerëz për ta bërë këtë festival".

"Ne e kemi festivalin e filmit të Stambollit, e kemi edhe festivalin e filmit’’ Independent’’ Film Festival, dhe më duhet të them që këtu më pëlqen shumë për shkak të industrisë së filmit dhe takimeve me njerëzit. Festivalet tona në Turqi janë shumë të mëdha dhe ka shumë njerëz që i vizitojnë ato.Por këtu mund të shoh më shumë filma’’, përfundoi Yantajm.

Në kuadër të programeve të filmave në festivalin ‘’PriFest’’, këtë vit ka konkurrencë zyrtare për filmat evropianë, ballkanikë, dokumentarë dhe filma të metrazhit të mesëm. Në PriFest po marrin pjesë edhe Palestina dhe Izraeli, të cilat hyjnë në industrinë e filmit në kuadër të Evropës.

Kurse, në programin ballkanik po marrin pjesë pjesëmarrës me filma nga Serbia, Bosnja, Maqedonia, Bullgaria, edhe nga Turqia, por gjithashtu edhe një numër i madh i filmave nga Kosova. Kurse, te metrazhi i mesëm dhe dokumentari, ata janë të hapur për filmat nga mbarë bota. Aty ka filma që po marrin pjesë edhe nga Afrika, Arabia e Amerika. /REL