Protestohet kundër ekspozitës së Xhafës, ku përfshihen lopët

Kultura July 21, 2018 - 13:22
Detajet

Ekspozita “Love you without knowing” e artistit kosovar Sislej Xhafa, e hapur në Galerinë Kombëtare të Kosovës, ka nxitur reagimet e disa qytetarëve për shkak se në kuadër të saj në një stallë të vendosur në oborrin e GKK-së po mbahen të mbyllura disa lopë, shkruan sot gazeta "zëri". 

Këta qytetarë, të angazhuar për mbrojtjen e kafshëve, kanë paralajmëruar edhe një protestë më 24 korrik para Galerisë Kombëtare të Arteve, me fillim në orën 16:30. Grupi “United for Animals” – UFA thekson se kafshët nuk duhet të shihen si mjet argëtimi.

“Kafshët nuk duhet të konsiderohen si objekte keqtrajtimi. Ato nuk mund të burgosen për hir të të ashtuquajturit ‘art’. Për kafshët kjo që po u ndodh nuk është art! Ne i themi artistit dhe Galerisë Kombëtare të Artit që kafshët nuk janë argëtim! Ato me dhunë detyrohen të qëndrojnë në hapësira të mbyllura, të errëta, të neveritshme dhe të mundimshme. Arti duhet të jetë diçka që prek shpirtin dhe mendjen e njeriut pa mënyra torturuese dhe abuzive prapa. Lopët që janë duke u mbajtur në një stallë të improvizuar te Galeria e Arteve, është thjesht neglizhencë e ndjeshmërisë njerëzore dhe mospërgjegjësi etike. Na takon neve si qytetarë qe t’ia dërgojmë artistit Sislej Xhafës një mesazh me një vetëdije të thjeshtë (common sense), që në ditët e sotme mund të vetshpallet çfarëdo vepre si ‘art’, por ne nuk do ta tolerojmë aktin e keqtrajtimit të kafshëve, në mënyrë që ju ta shprehni ‘artin’ e juaj, i cili jep vuajtje. U bëjmë thirrje të gjithëve që të bashkohen, që ta ngrenë zërin dhe të protestojmë kundër këtij keqtrajtimi. Vuajtja nuk është art”, thuhet në njoftimin e tyre.

Rikujtojmë se ekspozita e Sislej Xhafës me titull “Love you without knowing” është hapur në GKK më 5 korrik dhe lopët e vendosura në oborrin e kësaj galerie janë pjesë e instilacionit “Eight Kosovo Cows”. Ekspozita do të qëndrojë e hapur një muaj.

Sislej Xhafa ka lindur në vitin 1970 në Pejë, kurse është larguar nga Kosova gjatë viteve të ’90-ta. Ai ekspozon artin e tij në SHBA, ku aktualisht jeton, por edhe në shumë vende të tjera.

Kjo ekspozitë e Xhafës në Kosovë u mundësua nga Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit me përkrahjen e Ambasadës Amerikane në Prishtinë dhe të Komunës së Prishtinës. Po ashtu realizimin e ekspozitës e ndihmuan me pjesëmarrjen e tyre Kuvendi i Kosovës, Komuna e Pejës, Ansambli i Komunës së Gjakovës, si dhe kompania ndërtimore “Bavaria”. /ZERI