“Klithma” që thyen tabutë dhe flet për dhunimin e burrave

Kultura July 21, 2018 - 13:20
Detajet

Në festivalin ndërkombëtar të filmit “PriFilmFest” u dha premierë filmi “Klithma” i regjisorit Korab Lecaj, që garon në kategorinë e filmave të metrazhit të mesëm në edicionin e 10-të të këtij festivali, shkruan sot gazeta "Zëri". 

Për shkak të tematikës që trajton filmi tërhoqi vëmendjen e publikut kosovar, i cili pati rastin të shohë një rrëfim që lidhet me luftën e fundit në Kosovë nga një prizëm i patrajtuar më herët, sepse “Klithma” flet për dhunimin seksual të burrave gjatë periudhës së luftës. Historia prezantohet përmes dy personazheve, që janë Dini dhe Dani. Të dy këta viktima seksuale ishin marrë vesh që askush nuk do ta dinte çfarë u kishte ndodhur dhe ngjarja në film është e vendosur kohë pas kësaj ndodhie, kur ata veçse po i vuanin pasojat. 

Për shkak të traumave seksuale të Dinit (Hazir Haziri) martesa e bërë rishtazi me Shpresën (Arjola Demiri) nuk po funksionon siç duhet. Derisa Shpresa nuk i kuptonte sjelljet e të shoqit dhe kërkonte sqarime, njësoj e komplikuar ishte edhe jeta e Danit, i cili çdo ditë e më shumë po mendonte të dilte hapur dhe të tregonte se çfarë i ka ndodhur.

Kinematografia kosovare vitet e fundit njeh shumë filma që trajtojnë luftën e Kosovës nga perspektiva të ndryshme, por filmi “Klithma” është i pari që flet për dhunimin e burrave. Edhe për regjisorin relativisht të ri Korab Lecaj, duke pasur parasysh këtë fakt, ky projekt nuk ishte aspak i lehtë. Siç e quajti ai, ishte “një mal i pashkelur artistik”, në të cilin vendosi të ecte.

“Kur kam dëgjuar për herë të parë që përveç grave ka të dhunuar edhe burra prej regjimit serb në Kosovë menjëherë më ka nxitur si informatë që të merrem me të artistikisht. Ka qenë një mal i pashkelur artistik prej artistëve. Kam provuar t’ia tregoj botës një të vërtetë se çfarë i ka ndodhur shoqërisë sonë. Sigurisht ka qenë e mundimshme dhe e rrezikshme në kontekst artistik, sepse është një temë e ndjeshme dhe kam pasur mëdyshje se si do të duket, çfarë mesazhi do të përçojë dhe si do ta përjetojnë ata njerëz të cilët janë të dhunuar seksualisht këtë film, por edhe shoqëria. Megjithatë kam pasur guxim ta trajtoj si temë”, tha Lecaj, duke theksuar se filmi është i motivuar prej ngjarjeve të vërteta.

Në anën tjetër edhe për Arjola Demirin, që ishte në njërin nga rolet kryesore, ky film ishte projekt të cilin e ka përjetuar shpirtërisht.

“Unë luftën e Kosovës e kam përjetuar përmes rrëfimeve të refugjatëve që erdhën në Shqipëri dhe kam dëgjuar histori të ndryshme. Jam munduar ta kthej kujtesën dhe ta fus veten në përjetimet e këtyre njerëzve, të cilët kanë pësuar dhunë fizike e seksuale. Prej ndjesisë femërore jam munduar ta nxjerr në këtë film dhimbjen e përbrendshme përmes shikimit, bartjes emocionale e shpirtërore. Besoj që ia kemi arritur ta bartim përmes marrëdhënies së këtij çifti që kanë 6 muaj deri 1 vit të martuar dhe mënyrës sesi kjo grua përballet me traumën e burrit të saj”, theksoi Demiri.

Te “Klithma” dhunimi që Dini ka përjetuar rri si fantazmë mes çiftit të martuar dhe e pengon Dinin të jetojë dhe të sillet normalisht me gruan e tij, si të gjithë të tjerët, sado që Shpresa insiston ta afrojë e ta kuptojë.

Filmi 27-minutësh i Lecajt është një film që flet pak dhe tregon shumë. Në të regjisori ka arritur t‘i ekranizojë qartë pasojat e aktit barbar pa pasur nevojë për skena eksplicite. Energjia që aktorët bartin në këtë film jepet përmes shikimeve, sjelljeve dhe reagimeve të secilit rol. Dini që kthehet çdo mbrëmje në vendin ku dhunimi kishte ndodhur, te liqeni. Shpresa, që është e zhytur në konfuzion për sjelljet e të shoqit dhe Dani, që lufton brenda vetes për të marrë vendimin se a duhet të dalë haptazi me të vërtetën apo jo.

Përveç aktorëve të lartpërmendur, në këtë film luajnë edhe Alban Zogaj, Arbnesha Grabovci-Nixha, Rajmonda Ahmetaj, Kaltrinë Zeneli etj. Drejtor fotografie i këtij filmi është Almir Xhikoli nga Bosnja, kurse producent Besar Zahiti. Ekipi realizues synojnë që filmin ta dërgojnë edhe në festivale jashtë vendit.

Image