Vijon java maratonike e 'PriFest'-it

Kultura July 19, 2018 - 10:34

Tetëmbëdhjetë filma u ekranizuan të mërkurën në Prishtinë në tri lokacionet e festivalit “PriFilmFest”, që janë Teatri Kombëtar i Kosovës, kino “Armata”, si dhe kinemaja “Open Air” në sheshin “Zahiri Pajaziti”. Ekranet u ndezën pasdite në 16:30 për filmin “The App” nga Franca, për të përfunduar me filmin e orës 22:30, që ishte “Man Made” nga Shtetet e Bashkuar të Amerikës, shkruan sor gazeta "Zeri".

Por, para shfaqjes së filmave në kuadër të “PriFest”-it u mbajtën edhe dy punëtori me Clare Downs dhe Simon Wilkinson dhe një ndejë me muzikanten nga Maqedonia, Andrej Micajkov.

Të mërkurën ky festival organizoi edhe konferencën e parë për medie, ku u fol për filmin “Rooftop Story”, që hapi festivalin. Regjisori Gazmend Nela e vlerësoi lart mundësinë e dhënë për të shfaqur filmin e tij para publikut kosovar në një edicion jubilar, siç është ky i “PriFest”-it sivjet. Ai tha se emocionet i kishte shumë më të mëdha se në premierën botërore, që pati filmi kohë më parë në festivalin e Monterealit e që i takon kategorisë “A”.

“Në premierën në Montereal kam pasur shumë emocione, por këtu kam pasur edhe më shumë. Emocione më të forta. Jam tepër i lumtur dhe i kënaqur që premiera u dha këtu”, theksoi Nela.

Në anën tjetër, edhe për skenaristin Arian Krasniqi vlerësimi i filmit nga ana e audiencës vendore ishte i rëndësishëm, pa marrë parasysh se “Rooftop Story” trajton një dramë familjare, që mund t’i përshtatej secilës shoqëri.

“Jemi bashkuar për të treguar një histori më të pazakonshme të Prishtinës në një krijim kinematografik. Magjia e filmit është e papërshkueshme. Është një ndjenjë e veçantë kur e sheh projektin tënd në ekran. Rëndësia e kësaj premiere në Kosovë është e dyfishtë sepse jepet për herë të parë për audiencën vendore dhe e dyta, që ‘PriFilmFest’-i ka vendosur ta hapë festivalin me këtë film. Të qenët në hapje të këtij festivali është goxha një lloj privilegji për mua dhe ekipin. Filmi është një dramë psikologjike jofort e zakonshme dhe jofort natyraliste, qysh jemi mësuar t’i shohim në filmat tanë. Natyrisht që përderisa është një dramë më tone psikologjike e dimë që mund të këtë interpretime të ndryshme, por njerëzit që ishin në shfaqjen e filmit u ndanë të kënaqur me këtë rrëfim psikologjik”, theksoi Krasniqi.

Për aktorin Xhevdet Doda roli i Lumit, të cilin e sjell në këtë film, ishte shumë i rëndësishëm, sepse bart një dramë psikologjike të cilën ai u përpoq ta sillte te publiku në mënyrën më të mirë të mundshme.

“Si aktor nuk të jepen shumë shpesh raste të tilla për të qenë bartës në një dramë psikologjike. Unë si artist i dua këto rrëfimet individuale. E në këtë rast me qenë protagonist i një rrëfimi individual i një ngjarjeje që do të mundë të ndodhte në çdo vend të botës, sepse është një rrëfim bashkëkohor. Një dramë të cilën unë e kam shijuar shumë”, tha Doda.

Edicioni i 10-të i festivalit “PriFilmFest” ka filluar të martën (17 korrik) dhe do të zgjasë deri të dielën (22 korrik), kur do të ndahen çmimet për të gjitha kategoritë garuese të këtij festivali. Rikujtomë se aktorja me famë botërore, aktivistja dhe humanistja Vanessa Redgrave, do të jetë mysafire e “PriFest”-it dhe do të marrë çmimin e nderit të “PriFest”-it, “Hyjneshën e artë”, për kontributin e dhënë kinematografisë botërore dhe posaçërisht për mbështetjen e dhënë për komunitetin artistik të Kosovës dhe “PriFest”-it ndër vite.

Deri atëherë çdo ditë në tri ekranet e këtij festivali do të vazhdojnë të shfaqen filmat e paraparë dhe mysafirët ndërkombëtarë do të kenë rastin të takohen me filmbërësit kosovarë për t’i shkëmbyer eksperiencat dhe idetë e tyre. Zëri