'PriFest' flet shqip

Kultura July 18, 2018 - 09:55

Me premierën kosovare të filmit “Rooftop Story” të regjisorit Gazmend Nela ka nisur të martën në Prishtinë edicioni i 10-të i festivalit “PriFilmFest”.

Filmi i Nelës përpiqet të tregojë se humbja e diçkaje që ka vlerë për ne, humbja e vendit të punës ose humbja e një personi të dashur është njëri nga momentet që secili nga ne përballet në jetë. Si natyrë njerëzore priremi që për të gjitha këto fajin ta kërkojmë diku tjetër dhe jo në veten tonë. Kjo shumë herë shkakton konflikte brenda unit dhe ndërdijes, ku pastaj e gjitha manifestohet në mënyra të ndryshme, të cilat kur shikohen duken mjaft absurde. Kasta e filmit përbëhet nga aktorë shumë të talentuar të moshave të ndryshme, shkruan sot gazeta "Zëri".

Xhevded Doda, Mona Mustafa e Art Lokaj, janë këta tre që bartin barrën kryesore të filmit me personazhet e tyre, si Lumi, Yllka dhe Mali. Po ashtu janë dhe rolet e tjera episodike, si Safete Rugova, Sylejman Lokaj, Ismet Azemi, Mevlyd Osmanaj dhe të tjerë.

Buxheti i filmit është llogaritur mbi dyqind mijë euro, por nga Qendra Kinematografike e Kosovës është financuar me 65 mijë euro, kurse pjesa tjetër është bashkëprodhim i kompanive filmike me serviset e tyre që kanë mundësuar xhirimin dhe finalizimin e projektit. Filmi është prodhim i kompanive “Frame Production”, “Ikonë Studio” nga Kosova dhe nga Maqedonia “Pigmento Studio”.

“Rooftop Story” ishte njëri nga 11 filmat nga Kosova që janë përzgjedhur për t’u shfaqur gjatë ditëve të Festivalit në kategori të ndryshme më shumë se çdoherë tjetër. Të gjithë filmat, me përjashtim të filmave “Martesa” dhe “Me dasht, me dasht, me dasht”, të cilët do të shfaqen në kategori jogaruese, 9 filmat e tjerë do të shfaqen për herë të parë në Kosovë (disa nga ta edhe në botë) në kuadër të “PriFest”-it. Që të gjithë 11 filmat janë bërë nga regjisorë vendorë, prej atyre me një përvojë më të madhe e deri te emrat më të rinj, ndërkohë që shumica e këtyre filmave janë përkrahur nga Qendra Kinematografike e Kosovës.

Sivjet programi “Focus” i festivalit “PriFest” koncentrohet në filmat shqiptarë, duke qenë se edhe është përvjetori i 10-të i këtij festivali të organizuar në rrethanat dhe në kushtet shqiptare të filmbërjes.

 Drejtoresha e Festivalit Vjosa Berisha tregoi për gazetën “Zëri” se kjo ishte arsyeja pse kanë vendosur ta hapin dhe ta mbyllin festivalin me filma shqiptarë.

“Edhe këtë vit kemi zgjeruar dhe kemi zhvilluar përmbajtjen programore, pra filmat. Jemi të lumtur që nga ky vit kemi dy kategori të reja, atë garuese të filmave studentorë ndërkombëtarë, si dhe atë të filmave eksperimentalë. Kjo do të begatojë ofertën për publikun tonë dhe kineastët e studentët e filmit të interesuar për filmat e kolegëve nga tërë bota. Por, ajo që na gëzon më së shumti është prezenca e madhe e filmave të Kosovës ose në bashkëprodhim me Kosovën. Siç kemi bërë në çdo edicion në të kaluarën, duke pasur një program të veçantë të quajtur ‘Focus’, ku kemi trajtuar filmat e një shteti ose të një autori të caktuar, sivjet jemi krenarë që në fokus kemi Kosovën. Do të shfaqim gjithsej 11 filma vendorë në kategori të ndryshme, nga të cilët 9 janë premiera. Edhe filmi i hapjes dhe i mbylljes janë nga Kosova, “Histori maje kulmi” nga Gazmend Nela dhe “Kthimi” nga Kastriot Abdyli. Nuk ka sesi më mirë të festojmë së bashku këtë përvjetor të “PriFest”-it”, ka thënë Berisha.

Për një javë rresht, deri të dielën (22 korrik), shfaq filma të ndryshëm në tri lokacione e që janë: Teatri Kombëtar i Kosovës, kino “Armata”, si dhe kinemaja “Open Air” në sheshin “Zahir Pajaziti”.

Krahas kësaj, “PriFest” organizon një varg aktivitetesh të tjera, që përfshijnë punëtori, masterkalsa, takime me filmbërës e ekskursione për mysafirët. Aktorja me famë botërore, aktivistja dhe humanistja Vanessa Redgrave, do të jetë mysafire e “PriFest”-it dhe do të marrë çmimin e nderit të “PriFest”-it “Hyjneshën e artë” për kontributin e dhënë kinematografisë botërore dhe posaçërisht për mbështetjen e dhënë për komunitetin artistik të Kosovës dhe “PriFest”-it ndër vite. Zëri