'PriFest' ndez ekranet

Kultura July 17, 2018 - 10:16

Me filmin “Rooftop Story” të regjisorit Gazmend Nela hapet këtë të marte Festivali Ndërkombëtar i Filmit “PriFilmFest” që sivjet sjell edicionin e 10-të. Filmi do ta bëj hapjen e festivalit nga ora 20:30 në Teatrin Kombëtar. Filmi po ashtu do të shfaqet paralelisht dhe në platon afër hoteli “Grandit” në “Open Air Cinema” për të gjithë të interesuarit. Me këtë filmi festivali “PriFest” nis javën maratonike të aktiviteteve që do të zgjasin deri me 22 korrik e ku përfshihen qindra shfaqje filmash, masterklasa, punëtori, takime me filmbërës e mbrëmje muzikore.

Në edicionin e dhjetë jubilar, PriFest ka vendosur që fokusin ta drejtojë në kinematografinë e Kosovës. Janë plot 11 filma nga Kosova të përzgjedhur për t’u shfaqur gjatë ditëve të festivalit në kategori të ndryshme, më shumë se çdo herë tjetër. Të gjithë filmat, me përjashtim të filmave “Martesa” dhe “Me dasht me dasht me dasht” të cilët do të shfaqen në kategori jo-garuese, 9 filmat e tjerë do të shfaqen për herë të parë në Kosovë (disa nga ta edhe në botë) në kuadër të PriFest-it. Që të gjithë 11 filmat janë bërë nga regjisorë vendor, prej atyre me një përvojë më të madhe e deri te emrat më të rinjë, ndërkohë që shumica e këtyre filmave janë përkrahur nga Qendra Kinematografike e Kosovës.

“Programi garues i filmave studentorë” dhe “Programi i filmave eksperimental” janëdy programe të reja të cilat do ta pasurojnë edhe më tepër festivalin dhe japin mundësi të reja për dashamirët e filmit, dhe jo vetëm. Derisa me “Programin garues të filmave studentorë” do të mbulohet një zbrazëti në prezantimin dhe garën e filmave studentorë si pasojë e ndërprerjes së festivalit studentor “Skena UP”, me “Programin e filmave eksperimental” shtohet edhe një program interesant jo vetëm për filmbërësit dhe filmofilët, por edhe për artistët vizuel dhe ata që parapëlqejnë këto arte.

Aktorja me famë botërore, aktivistja dhe humanistja Vanessa Redgrave do të jetë mysafire e “PriFest”-it dhe do të marr çmimin e nderit të “PriFest”-it, “Hyjneshën e artë” për kontributin e dhënë kinematografisë botërore dhe posaçërisht për mbështetjen e dhënë për komunitetin artistik të Kosovës dhe “PriFest”-it ndër vite.