'Za Fest' ju fton të shijoni magjinë e Thethit

Kultura July 17, 2018 - 10:14

Fundjava që po vjen mbledh në ambientin përrallor të Thethit jo vetëm dashamirët e natyrës por edhe adhuruesit e muzikës dhe artit në përgjithësi, shkruan sot gazeta "Zëri".

Atje më 20, 21 dhe 22 korrik do të mbahet edicioni i dytë i festivalit “Za Fest” që këtë vit bën bashkë artistët Hasa-Mazzotta, Andrra, Oborri, Linda Rukaj e Vlashent Sata. Këta artistë do të performojnë live nga Kisha e Thethit. Ashtu si në edicionin e kaluar edhe këtë vit “Za Fest” shpluhuros nga pesha e harresës pjesë të thesarit gojor të maleve shqiptare, trashëgimi e të parëve tanë. Regjisorja dhe aktorja Ema Andrea do të rrëfejë dhe do të performojë disa nga legjendat më të bukura të zonës.

Drejtori artistik i festivalit “Za Fest”, Vlashent Sata, tregoi për gazetën “Zëri” se janë kujdesur që festivali sivjet të sjellë disa risi.

“Risi e këtij viti është se do të kemi edhe poezi, joga e meditim. Gjithashtu edhe kinemanë verore që do të zhvillohet në 1000km lartësi dhe performanca krejt të veçanta që nuk janë bërë më përpara”, theksoi Sata. Instruktoret Rachel Berryman dhe Rowie Geraerts do të jenë në festival për të praktikuar bashkë me pjesëmarrësit joga, duke krijuar kështu kontaktin me natyrën e rrallë të Thethit.

Këtë vit programi i festivalit është gjithëpërfshirës dhe kombinon muzikën me artet figurative, shijet tradicionale dhe aktivitetet sportive në natyrën e bukur të Thethit.