Gjashtë filma për këtë verë

Kultura July 17, 2018 - 10:12

Nëse jeni në kërkim të disa filmave mbresëlënës që mund t’i shikoni në këto kohë pushimesh sot në “Zëri” ju sjellim gjashtë opsione që do të ju mbesin gjatë në kujtesë.

Touch of Evil

Jo vetëm me Kanadanë, SHBA-të ndajnë qytete! Një i tillë, i paemëruar, është bazë e njërit nga filmat më të mirë të Orson Welles. I njohur si ndër film-bërësit më të mirë, regjisori i “Citizen Kane”, tek “Touch of Evil” vjen në rolin e kapitenit lokal të policisë së qytetit të ndarë me Meksikën, në të cilin një auto-bombë vret një kontraktues ndërtimtar amerikan. Ndonëse aksidenti ndodh në pjesën amerikane të qytetit, dyshimet hidhen mbi bandën meksikane të “Dajës Grandi”. Kjo bandë është duke u hetuar nga Majk Vargas, i cili ndërpret muajin e mjaltit për të gjetur dorasit. Charlton Heston sjell Majkun, e Janet Leigh është bashkëshortja e tij, e cila do të shndërrohet në njërën nga figurat kryesore të këtij tregimi që zhvillohet në një natë zagushie në kufirin meksikan-amerikan.

The Big Sleep

Një tjetër film i zhanrit krim-mister, në këtë listë është prodhimi i Howard Hawks – një tjetër regjisor i njohur i viteve të arta të filmave noir. Humphrey Bogart vjen në rolin e hetuesit privat, i quajtur Filip Marlou. Detyra e tij është të gjej shantazhuesin e të bijës së një gjenerali të pasur. Në këtë mision, ai do të bie për të bijën e madhe, Vivian, e cila e fut në trekëndësha romance e rrjete të krimit të organizuar. Dy orë mister me kombinimin e aktrimit legjendar të Humphrey Bogart bashkë me të mahnitshmen Lauren Bacall, janë flladitës i mirë në këto ditë vere.

The General

Veturat dhe vajzat janë një kombinim dashurie që na japin filmat e gjysmë-shekullit të fundit. Por, Xhoni, për dallim prej djemve të sotëm, dashuron lokomotivën e tij “The General” dhe Anabellë Li-në (jo atë të Edgar Allan Poe). Dhe për dashuri, për t’i rënë në sy Anabellës, Xhoni provon të regjistrohet si ushtar gjatë Luftës Civile Amerikane. Si vozitës lokomotive dhe inxhinier, ai refuzohet me arsyetimin se ka mënyra më të mençura për të ndihmuar ushtrinë. Xhonit kokëfortë i vjedhin lokomotivën e tij, dhe të njëjtën fatkeqësi e pëson edhe e dashura e tij. Rrugës për të shpëtuar herë njërën herë tjetrën, Buster Keaton me aktrimin e tij bën njërin nga filmat më të mirë në histori të kinematografisë. Vetëm 67 minuta dhe mund ta gjeni falas në shumë vende në YouTube!

Casablanca

Njëri nga titujt më të njohur tek filmat e zhanrit romancë, është tregimi për një dashuri të ndaluar në vitet e Luftës së Dytë Botërore! Edhe këtu kemi Humphrey Bogart, por kësaj radhe me Ingrid Bergman në rolet kryesore. Bogart gjallëron karakterin e Rik Bllein, një zemër-ftohtë ndaj botës aktuale kombësia e të cilit është ‘pijanec’! në kafenenë e tij në Kasablanka, Rik sfidon autoritetet duke ndihmuar refugjatët e ndjekur nga nazistët të ikin për në Amerikë. Njëra nga to është edhe Ilsa (Bergman) ish-e dashura e tij, e cila me burrin e saj janë në mesin e të ndjekurve. Me të shfaqur në kafenenë e tij të dy, komplikojnë jo vetëm punën e përditshme të Rikut, por edhe emocionet! Një film romance në kohëra lufte, një klasik të cilin edhe nëse e keni parë një-herë, është mirë ta shihni përsëri.

Seven Brides for Seven Brothers

Një ditë, Adami, pa i thënë askush prej tezeve e hallave, vendos të shkojë në qytet dhe ta gjej një grua. Po atë ditë, me pak këngë e pak bukuri, ai bind Millin të martohet me të. Kur kthehet në shtëpinë e tyre në pyll, si çdo grua, edhe Milli nis reformat. Ajo nis të edukojë të gjashtë vëllezërit e Adamit, të cilët me ndryshimet pozitive në fermën e tyre, vendosin të martohen. Dhe për t’u martuar, Adami mëson një formë të re – kidnapimin!

Borë, kidnapime, romancë, dhe mbi të gjitha muzikë, e bëjnë këtë komedi-muzikale të Stanley Donen, njërën nga më të këndshmet në karrierën e tij. Për dallim prej filmave tjerë, tregimi këtu zhvillohet gjatë dimrit.

The Gold Rush

Diçka tjetër për t’iu freskuar është një tjetër film pa zë në këtë listë, pas ‘The General’. Charlie Chaplin sjell tregimin e një kërkimtari ari në vitet kur shkuarja në Alaskë ishte sikur shkuarja në Gjermani për neve! Në kërkim të arit, kërkimtari bie në dashuri me Gjeorgjinë, e cila vetëm sa bëhet shtytje për të në kërkim të arit. E arin e kërkon në kohën e acartë, bashkë me Xhimin e Madh i cili nga uria provon edhe ta hajë kërkimtarin. E kërkimtari duhet të kënaqet me ngrënien e këpucës së tij! Një film i mrekullueshëm nga njëri prej mjeshtërve më të mirë të filmit.

*Autori i këtij shkrimi është kritik i filmit dhe TV-së.