Filmi 'Nëntor i ftohtë' i Ismet Sijarinës, me premierë botërore në San Sebastian

Kultura July 13, 2018 - 10:03

Premiera botërore për filmin artistik të regjisorit Ismet Sijarina “Nëntor i ftohtë” do të mbahet në edicionin e 66-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të San Sebastianit, shkruan sot gazeta "Zëri".

Ky është filmi i parë nga Kosova në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të San Sebastianit, një festival ndërkombëtar tejet i rëndësishëm dhe i kategorisë “A”, ku do të jetë pjesë e konkurrencës zyrtare në seksionin e regjisorëve të rinj.

“Ky është një zhvillim i madh për kinematografinë e Kosovës dhe pasqyron një trend të sukseseve në rritje për industrinë e filmit në Kosovë”, u shpreh drejtori i QKK-së, Arben Zharku. Filmi përcjell Fadilin, i cili punon si arkivist në një ndërmarrje shtetërore, në Kosovën e fillimviteve ’90 dhe duhet të zgjedhë mes dy opsioneve të gabuara. Në këtë mënyrë ai, jashtë vullnetit dhe dëshirës së tij, “gëlltit” turpin, ballafaqohet me imazhin e keq dhe duron presionin nga të gjitha palët.

“Secili njeri, pa marrë parasysh rolin dhe ndikimin e tij në shoqëri, ka një rrëfim për ta thënë. Ka shumë rrëfime të tilla që mbesin të pathëna, ngase konsiderohen po aq të parëndësishme sa edhe përjetuesit e tyre. ‘Nëntor i ftohtë’ është njëri nga këto rrëfime që nuk do të duhej të thuhej. Ky film sjell një histori familjare të bazuar mbi ngjarje të vërteta në një kohë të turbullt, kur ne nuk mund të thuhet se jetonim, por vetëm ekzistonim. Fadil e ka emrin, jeton në Prishtinë përgjatë fillimviteve të ’90-ta, ka gruan, dy fëmijë, babanë dhe një rrëfim, që kërkon kureshtjen tuaj”, u shpreh regjisori Ismet Sijarina.

“‘Nëntor i ftohtë’ për mua është dashuri në lexim të parë. Film që trajton vitet e mbrapshta të shoqërisë sonë! Tregim i munguar i kinematografisë kosovare, në të cilin unë kam pasur kënaqësinë të jem producent dhe aktor. Pranimi në konkurrencë zyrtare në njërin prej festivaleve më të mëdha të botës ‘San Sebastián’ në Spanjë është shpërblimi më i madh që mund t’i bëhet sakrificës së produksionit dhe tërë ekipit”, shtoi producenti Fatmir Spahiu.

Projekti filmik “Nëntor i Ftohtë” është produksion i shtëpive filmike “Thumbs Up” dhe “Buka” në bashkëprodhim me “Albasky Film”, AUDIOHAUS dhe “Ikone” dhe është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe nga Qendra Kombëtare Kinematografike e Shqipërisë.

Në rolet kryesore paraqiten aktorët: Kushtrim Hoxha, Adriana Matoshi, Fatmir Spahiu Bufi, Emir Hadzihafizbegovic, Gordana Boban, May-Linda Kosumovic dhe Lum Veseli, ndërsa skenari i shkruar nga Arian Krasniqi e Ismet Sijarina. Drejtoreshë e fotografisë në këtë film ishte Sevdije Kastrati, montazher Vladimir Pavlovski, kurse muzikën grupi “Jericho”. Zëri