Festivali i Duas ofron edhe bileta familjare

Kultura July 12, 2018 - 10:11

Ka mbetur edhe një muaj deri në fillimin e festivalit “Sunny Hill”, i cili do të organizohet në Kosovë nga këngëtarja prishtinase me famë botërore, Dua Lipa. Teksa po finalizojnë përgatitjet për Festivalin që do të mbahet më 10, 11 dhe më 12 gusht në Parkun e Gërmisë organizatorët po zbulojnë dita-ditës risitë që do të sjellë ky festival. Përmes faqeve të tyre zyrtare tash e sa ditë janë në dispozicion biletat treditore për këtë festival, por ajo çka bie në sy janë llojet e ndryshme të biletave, që ju mund t’i blini. Krahas biletave të rregullta, të cilat kushtojnë aktualisht 55 euro, pasi seria prej 35 eurosh ka mbaruar dhe biletave VIP, që kushtojnë 200 euro, ky festival ka vënë në dispozicion edhe biletat grupore dhe familjare, shkruan sot gazeta "Zëri".

Sa u përket biletave familjare Festivali ofron në dispozicion bileta që kushtojnë 100 euro e të cilat përfshijnë hyrjen në Festival për të dy prindërit, si edhe një fëmijë ose bileta me çmim 110 euro për të dy prindërit dhe dy fëmijë. Mosha e fëmijëve duhet të jetë 5 vjeç e më lart.

Në anën tjetër, nëse vendosni të blini bileta grupore dhe jeni tre persona, atëherë secilit i bie të paguajë biletën 45 euro, çmim që është 10 euro më i ultë se ai i biletës individuale. Kurse nëse jeni një grup prej më shumë se gjashtë personash ju keni mundësi të paguani 40 euro për secilën biletë, duke kursyer 15 euro nëse bëni një krahasim me biletat individuale.

Ndonëse si drejtor i festivalit “Sunny Hill” është emëruar i ati i këngëtares Dua Lipa Dukagjini, edhe vetë ajo shprehet tejet entuziaste për Festivalin. Së fundi në rrjetin social “Instagram” Lipa ka shkruar se mezi po pret të performojë në vendlindje.

“‘Sunny Hill Festival’! Mezi po pres të ju shoh të gjithëve në Prishtinë”, ka shkruar ajo.

Organizatorët besojnë se ky festival do të sjellë edhe përfitime ekonomike për Prishtinën, meqë pritet të vijnë shumë vizitorë. Në konferencën për medie, e mbajtur para disa javësh ku u prezantuan datat dhe programi në vija të trasha të festivalit, Dukagjin Lipa u shpreh se njëri nga synimet e tyre si ekip është që të tërheqin sa më shumë turistë, të cilët do të vinë ta ndjekin live Duan, por edhe artistët e tjerë. Kësisoj ai beson që kjo do të ndikojë për të mirë në imazhin e Kosovës, por edhe në ekonominë e vendit.

“Ka qenë rrugë e gjatë deri te ky festival në Kosovë. Shpresojmë që Kosova të ketë përfitime në ngritjen e imazhit të saj. Shpresoj që do të ketë shumë vizitorë”, tha Lipa.

Fakti se Dua është një këngëtare e re, që po ngjitet në majat e suksesit në tregun ndërkombëtar dhe prapëseprapë ka vendosur të organizojë një festival në vendlindje, ka marrë vëmendjen e medieve të huaja.

Platforma “Pollstar”, në një artikull që ua dedikon festivaleve më të mëdha që po mbahen në vitin 2018, përmend edhe Festivalin e Dua Lipës. Krahas ngjarjeve më të rëndësishme muzikore të globit “Pollstar” thotë se “Sunny Hill Festival” është njëri nga festivalet e reja më premtuese.

“Shumë festivale të reja po shfaqen, duke nisur nga J. Cole në Raleigh, N.C., ‘Post Malone’s Posty Fest’ në Dallas e deri te festivali ‘Sunny Hill’ i Dua Lipës në vendlindjen e saj në Kosovë”, shkruan “Pollstar”.

Festivali “Sunny Hill” menjëherë pas publikimit të datave mori edhe vëmendjen e mediumit prestigjioz britanik BBC.

 

“Babai i Dua Lipës është duke organizuar një festival muzikor në vendlindjen e tij dhe Dua do të këndojë atje. Festivali ‘Sunny Hill’ është vendosur të zhvillohet në gusht në qytetin e Duas, në Prishtinë të Kosovës. Këngëtarja 22-vjeçare shkroi në ‘Twitter’ se është krenare dhe lavdëroi babanë e saj që po ndjek këtë ëndërr të tij”, raporton BBC-ja. Ky medium përmend se ideja e këtij festivali është që ta vendosë Kosovën në hartën kulturore të botës. Në këtë shkrim thuhet gjithashtu se edhe i ati i Duas, Dukagjini, kishte dikur karrierë muzikore.

“Tash është babai i njërit prej yjeve më të mëdha të muzikës pop në planet, kurse dikur vetë Dukagjin Lipa ishte muzikant dhe këngëtar në vendin e tij. Një tjetër fakt argëtues është se ai e quajti vajzën e tij ‘Dua’, pasi kjo do të thotë ‘Dashuri’ në shqip. Në rast se po kaloni nëpër Evropën Juglindore këtë verë interesohuni për këtë festival”, përfundon kështu BBC-ja.

Rikujtojmë se bashkë me Duan në këtë Festival do të interpretojnë edhe artistët e njohur: Action Bronson, Stanaj, Grace Carter e SG Lewis, Action Bronson e të tjerë, Kurse nga skena lokale janë përzgjedhur artistë si: Ledri, Dafina Zeqiri, PINT, MC Kresha, Shpat Deda, Genc Salihu e DJ Gamble. Zëri