Vanessa Redgrave, mysafire nderi në 'PriFest'

Kultura July 09, 2018 - 10:07

Shumë mysafirë pritet të jenë pjesë e festivalit “Pri Film Fest”, për t’i prezantuar filmat e tyre apo për të qenë pjesë e PriFORUM-it, platformës industriale të zhvillimit të filmit në rajon, shkruan sot gazeta "Zëri".

Një nga mysafirët e rëndësishëm të festivalit do të jetë Vanessa Redgrave, aktore britanike fituese e çmimit “Oscar”, Presidente e Bordit të Nderit të “PriFest”-it, e cila ishte prezente në ceremoninë e hapjes së edicionit të parë të “PriFest” në vitin 2009, ndërsa tash do të rikthehet pas 10 viteve për ta parë nga afër progresin e këtij festivali.

“Ne jemi shumë të lumtur dhe të nderuar që Vanessa Redgrave do të rikthehet në Prishtinë për ta vizituar festivalin tonë. Është një gjë e mrekullueshme! Ajo ishte këtu në edicionin e parë, kur ne kishim nevojë më së shumti për të dhe tash ajo rikthehet këtu për ta festuar me ne një përvjetor të vecantë – një dekadë të ‘PriFest’. Për më tepër, ajo në ‘PriFest’ do ta sjellë filmin e saj të parë të punuar si regjisore, filmin “Sea Sorrow” që vitin e kaluar kishte premierën botërore në Cannes, një film shumë personal e dinamik që trajton temën e krizës globale të refugjatëve. Në shenjë respekti dhe vlerësimi për gjithë përkrahjen e saj ndër vite për komunitetin artistik në Kosovë dhe festivalin, ‘PriFest’-i do ta shpërblejë atë me çmimin ‘Hyjnesha e Artë’. Ajo ishte me ne kur ne ishim refugjatë në Maqedoni, na vizitoi në kampe dhe na inkurajoi që të qëndronim të fortë. Më pas, ajo u rikthye në Prishtinë në shtator të vitit 1999 për ta organizuar një festival të mrekullueshëm të muzikës dhe teatrit. Ky festival quhej ‘Kthimi’ dhe kishte për qëllim festimin e rikthimit të refugjatëve në shtëpitë e tyre në Kosovë. 10 vite më vonë, ajo u rikthye në ceremoninë hapëse të ‘PriFest’-it, për ta hapur festivalin dhe për ta pranuar rolin ‘Presidente e Bordit të Nderit të festivalit’. Tash ajo po rikthehet përsëri dhe ne jemi shumë të lumtur për këtë vizitë”, u shpreh Vjosa Berisha, drejtoresha e “PriFest”-it.

Festivali do të vazhdojë të organizojë shumë aktivitete të ndryshme edhe këtë vit, si programi i projekteve filmike regjionale i quajtur “Best Pitch”, i organizuar nga PriFORUM-i, dhe Prishtina Rendezvous – një aktivitet i dedikuar që distributorët dhe agjentët e shitjes nga e gjithë Evropa të mësojnë më shumë për projektet filmike ballkanike dhe të takojnë filmbërësit nga kjo pjesë e botës. Në PriFORUM do të ketë edhe shumë aktivitete të tjera.

Për t’u veçuar këtë edicion është fakti që do të shfaqen një numër rekord i prodhimeve të Kosovës, shumica e të cilave janë të mbështetura nga Qendra Kinematografike e Kosovës. Fokusi gjithashtu do të jetë në promovimin e kapacitetit krijues vendor dhe aktorëve nga Kosova, me qëllim që këta të fundit të kenë mundësi ta fitojnë vëmendjen e distributorëve ndërkombëtarë dhe të mund të sjellin prodhime ndërkombëtare në Kosovë. Në industrinë e filmit në PriFORUM paneli kryesor do të jetë “Kosovo ready to roll” që do të promovojë lokacionet e xhirimit, kapacitetet njerëzore dhe aktorët e Kosovës të gatshëm për projekte filmike ndërkombëtare. Zëri