Johnny Marr, heroi i Armend Fejzullahut

Kultura July 09, 2018 - 09:54

Kësaj radhe për të folur në rubrikën “Rrëfej përmes muzikës” për formimin e tij muzikor dhe këngët që kanë lënë gjurmë në kujtesën e tij  kemi të ftuar muzikantin Armend Fejzullahu. Ish-anëtari i rok-grupit të mirënjohur “Votra” ndan me lexuesit e “Zërit” disa nga këngët që e kanë shoqëruar nëpër periudha të ndryshme të jetës së tij, shkruan sot gazeta "Zëri".

Së fundi Fejzullahu ka publikuar këngën e tij të re që titullohet “Nata është e jona” kurse nga bagazhi i tij mbetën të paharruara për publikun këngët bashkë me grupin si “Kur të kam pranë", “Stinët”, e të tjera.  Fejzullahu vazhdon të jetojë në Londër të Britanisë së Madhe. Ai atje është aktiv me mbrëmje muzikore “live” pranë dashamirëve të muzikës së tij.

Nga Jeff Buckley e deri te Andrea Bocelli, lexoni rrëfimin muzikor të Armend Fejzullahut.

Image

OVER, YOU SHOULD’VE COME OVER - Jeff Buckley

Kjo është një ndër këngët më të bukura dhe sinqerta për dashurinë e fuqinë e saj. Teksti dhe muzika janë në harmoni superiore por mbi të gjitha është zëri i Jeff Buckley që edhe të jesh i gurit dhe pa ndjenja, të bën të emocionohesh. 

 

THIS CHARMING MAN -The Smiths

Si dikush që e do kitarën, për mua kitaristi Johnny Marr është heroi im personal dhe në këtë këngë e kupton gjeniun e tij. Këngë fantastike dhe frymëzuese, sidomos për kitaristët me aspirata.

ULTRAVIOLET - U2

Si shumica besoj, në moshën teen, U2 ishte bendi që e idealizoja dhe kur përfunduan me albumin e tyre “Joshua Tree”, dhe arritën famë stratosferike, askush s’mund të besonte që ata do të arrinin të vijnë me album më të madh. Por ata u kthyen me “Achtung Baby”, ku ndërruam imixhin, por dhe tingullin e tyre dhe vulosë famën e tyre përjetësisht. Aty në mes shumë hiteve është kënga ULTRAVIOLET, këngë që hapet me vargje të fuqishme dhe pastaj vazhdon me energji të pandalshme.

Mr BRIGHTSIDE - Killers

Këtë kënga e zgjodha sepse është një ndër këngët e vetme, që kudo të jesh, me këdo, në momentin që fillon kënga, energjia e saj dhe sidomos vokali e bën gjithë turmën të vallëzojnë duke kërcyer pa ndalur.

IN YOUR MIND - Johnny Cash

Kjo këngë është nga filmi “Dead Man Walking”, ku tema e moralit dhe dënimit me vdekje është e shtjelluar dhe aktruar mjeshtërisht nga Sean Penn dhe Susan Sarandon. Por mbi të gjitha, Johnny Cash me zëri e tij unik dhe emocionin e tij, përcjellë me vargjet që flasin mbi temën e vrasjes dhe dënimit, të bën të mendosh thellë por edhe ta kuptosh pse Johnny Cash ishte dhe mbeti legjenda e ikona amerikane.

DEPECHE MODE - Personal Jesus

Më kujtohet kur doli albumi “Violator”, mendova: “Depeche Mode janë zoti”. Isha para disa muajsh në koncertin e tyre dhe ata e kënduan këtë këngë të bukur, e cila flet mbi perceptimin e fesë, dhe zotit ku mbi tjera këndohet...”Lift up the receiver, I’ll make you a believer...”

RIDERS ON THE STORM - The Doors

Nuk i thoshin kot Jim Morrison “an american poet”. Për mua, muzika e “The Doors” gjithmonë kaq qenë një lloj meditimi mendor dhe spiritual, ndoshta pse vet Jim Morrison ishte përdorues besnik i substancave të ndryshme dhe kjo reflektohej në vargje-poezitë e tij duke u pasqyruar në muzikën gati trans-gjendje.

ELEANOR RIGBY - The Beatles

Për mua, kush nuk pëlqen krijimtarinë e Beatles, duhet me ja u kontrollu trurin! Kisha problem cilën këngë të tyre ta zgjedhja...

CONSTANT CRAVING - Kd Lang

Thjesht këngë e bukur që flet mbi dashninë dhe dëshirën për të, por kënduar me pasion dhe vokal të paharruar.

LET’S GET IT ON - Marvin Gaye

Mjerisht kanceri e morri herët këtë gjeni të Motown viteve, por nuk ja rrëmbeu këngët që la pas vetes. Kjo këngë është njëra nga ato këngë.

CONTE PARTIRO - Andrea Bocelli

Këngë që thjesht më inspiron për këndim. Harmoni hyjnore e muzikës, fjalëve dhe zërit.

Zëri