Krasniqi: S’do të lëmë gur pa lëvizur për shtatoren e Anton Çettës

Kultura July 07, 2018 - 08:52

Këshilli Organizativ për Ngritjen e Shtatores së Veprimtarit të Njohur Anton Çetta në oborrin e Institutit Albanologjik nuk po heq dorë nga kërkesa e tij. Edhe pse tashmë edhe zyrtarisht ky institut ka refuzuar kërkesën e këtij këshilli, Riza Krasniqi, anëtar i këtij Këshilli, i ka thënë të premten gazetës “Zëri” se ata nuk do të heqin dorë nga ai lokacion, sepse ai është vendi natyror ku duhet të vendoset ajo shtatore.

“Ne nuk do të lëmë gur pa lëvizur për ta vendosur shtatoren aty ku e ka vendin. Ku është vendi i saj natyror? Ne mendojmë se vendi natyror i saj është te Instituti Albanologjik”, tha Krasniqi.

Sa i përket kërkesës së Institutit Albanologjik që kësaj shtatore t’i gjendet një shesh më i madh, Krasniqi tha se qyteti i Prishtinës nuk e ka një hapësirë të tillë. “Po ku ka aso sheshi në Prishtinë? Ne nuk mund t’i heqim shtatoret e tjera për ta vendosur atë shtatore. Nuk kemi asnjë shesh të zbrazët”, tha ai.

Ky Këshill Organizativ, i cili përbëhet nga Mulla Xhevat Kryeziu, Don Lush Gjergji, Riza Krasniqi dhe dy vajzat e Anton Çetës, Agata dhe Donika, do të kërkojë mbështetje institucionale për të siguruar hapësirën e oborrit të Institutit Albanologjik.

“Ne do të kërkojmë përkrahje institucionale sepse profesor Çetta ka qenë i institucionit dhe krejt luftën e ka bërë që ne t’i krijojmë dhe t’u besojmë institucioneve. Ne do ta vazhdojmë betejën tonë institucionale. E kemi përkrahjen e Komunës së Prishtinës dhe të Kuvendit të Kosovës. Edhe kryeparlamentari Veseli është zotuar se do të na ndihmojë”, përfundoi kështu Krasniqi. 

Lajmin se ka refuzuar kërkesën për vendosjen e shtatores së Çetës në oborrin e vet Instituti Albanologjik i Prishtinës e dha të enjten përmes një njoftimi të nënshkruar nga drejtori i këtij institucioni, Hysen Matoshi. Ky institut është arsyetuar me propozimin se duhet gjetur një vend më të madh për shkak të rolit historik që ka pasur Lëvizja e drejtuar nga Çetta. “Këshilli Drejtues afirmon qëndrimin e Institutit Albanologjik të vitit 2010, duke konsideruar se, për shkak të rolit historik që ka pasur Lëvizja për Pajtimin e Gjaqeve dhe në mënyrë të veçantë prof.

Anton Çetta, vendosja e shtatores së tij do të duhej të bëhej në një shesh të madh të qytetit, i cili njëkohshëm do të pagëzohej me emrin sheshi i pajtimit ‘Anton Çetta’ dhe do të kishte infrastrukturë përcjellëse (fontanë, banka për pushim)”, shkruhet në përgjigjen e IAP-së.
Pas refuzimit të kësaj kërkese reagimet në opinionin publik kanë qenë të shumta. ZËRI