Sislej Xhafa përmes artit ktheu vëmendjen kah origjina

Kultura July 07, 2018 - 08:48

Një ditë pasi prezantoi ekspozitën e tij “Love you without knowing”, artisti Sislej Xhafa bashkë me kuratorin e kësaj ekspozite Jérôme Sans mbajtën një bisedë të hapur me publikun për të folur më tepër për atë se çka kjo ekspozitë pasqyron, por edhe për punën e artistit në përgjithësi.

Xhafa u shpreh i lumtur për prezantimin e ekspozitës së parë personale të atdhe, pas rrugëtimit të suksesshëm nëpër shumë vende të botës.

 “Kjo ekspozitë për mua është emocionale, por kjo ekspozitë ishte një vizion imi për rininë time, për marrëdhënien me natyrën, me hapësirën. Ky ishte një momentum i veçantë kur vendosëm ta sjellim këtu”, u shpreh Xhafa. Duke folur për veprat që vendosi t’i prezantonte në Kosovë në kuadër të kësaj ekspozite tha se e kishte të domosdoshme të sillte veprën “Lost and Found”, që u dedikohet të zhdukurve nga lufta e fundit në Kosovë. “Mendova se publiku në Kosovë duhet ta shohë këtë vepër sepse kjo vepër është për ta, për njerëzimin”, theksoi ai.

Kjo ekspozitë u shtri në qytetin e Pejës, në regjionin e të cilit qytet u dërgua vepra “Lost and Found” e pjesë e saj u bë edhe në Ansamblin e Gjakovës që performoi në Kuvendin e Kosovës, për të përfunduar në Galerinë Kombëtare të Kosovës. Për Xhafën ishte e rëndësishme një përfshirje e gjerë si kjo, që pikënisjen e kishte në qytetin e tij të lindjes.

Kur kuratori e pyeti pse është kaq i lidhur me etimologjinë e tij e me origjinën, Xhafa tha se për të ishte e rëndësishme t’i rikthehej Pejës përmes artit.

“Peja është qyteti i parë në Ballkan që e ka pasur shkollën e artit. Për mua ishte e rëndësishme që si artist të kthehem në Pejë. Të gjithë nga Peja vijnë në Prishtinë për një tjetër perspektivë, por kurrë nuk kthehen për të bërë diçka. Për mua të gjitha qytetet janë të bukura”, tha Xhafa.

Pjesë e ekspozitës së tij, që është në Galerinë Kombëtare, është një stallë me lopë duke shpjeguar idenë për këtë vepër se për herë të parë kjo ishte realizuar në Zvicër.

“Pasi në Zvicër e në Gjermani ka shumë shqiptarë doja që të dërgoja disa lopë nga Kosova atje që t’i vizitojnë ‘të afërmit’ e tyre. Ishte e vështirë që t’i dërgonim lopët nga Kosova atje. Unë insistoja që lopët të ishin nga Kosova. Lopët i pajisëm edhe me GPS që t’i takonin shqiptarët atje. Lopët ishin për 10 ditë në Bazel dhe u kthyen. Për mua ishte shumë e rëndësishme që këtë projekt ta prezantoja edhe në Kosovë dhe me përkrahjen e Artës, drejtoreshës së Galerisë, e bëmë. Ky projekt është edhe për ata në fshatra, ndoshta diku mes Deçanit një i ri do t’i thotë babait të tij ‘I kam parë lopët atje brenda’ dhe nëse do ta stimulojë atë të ri, diku, ky është qëllimi im”, tregoj Sislej.

I pyetur nga kuratori Sans se përse dhe pse jeton e vepron si artist në Nju-Jork krijimtaria e tij reflekton gjithmonë historinë dhe kulturën, Xhafa tha nuk mund të jetë i distancuar nga vendi të cilit i takon. “Së pari, unë nuk jam politik dhe nuk kam tendenca të tilla. Mendoj se politika është arti i të folurit. Unë i takoj kësaj toke dhe nuk e mohoj prej nga vij. Unë ndihem i bekuar që jam nga kjo tokë, jo në aspektin gjeografik po për atë se çfarë ne jemi. Unë nuk mund të rri në distancë nga kjo”, u shpreh ai.

Pjesa e ekzekutimit të pjesës “Again and again” nga muzikantët që bartnin maska në fytyrë në Kuvendin e Kosovës ishte një nga më të komentuarat e kësaj ekspozite. Xhafa u shpreh para publikut se kjo është një vepër që flet për rezistencën dhe luftën. Ai tregoi se për shumë vite ka refuzuar ta prezantojë ndërkombëtarisht, por vetëm në Kosovë

“Qysh në vitin 1999 kur e kam punuar kjo vepër është bërë për Kosovën dhe për rezistencën. Parlamenti për mua ishte vendi më i duhur për ta prezantuar sepse për mua kjo vepër është diçka historike dhe shpresoj që edhe për Kosovën. Nuk besoj që diçka e tillë që ndodhi në Parlamentin e Kosovës do të mundë të ndodhte diku në ndonjë parlament tjetër”, përfundoi ai.

Diskutimi me publikun përmbylli kështu aktivitetet e Sislej Xhafës në Kosovë në kuadër të ekspozitës së tij “Love you without knowing”.