Xhafa solli në Kosovë një ekspozitë që i bën tribut dashurisë

Kultura July 06, 2018 - 11:39

Për ta prezantuar ekspozitën e tij “Love You Without Knowing” artisti Sislej Xhafa erdhi në Kosovë pas një rrugëtimi të gjatë nëpër skena ndërkombëtare.

Prezantimin e kësaj ekspozite në vendlindje Xhafa, në bashkëpunim me Galerinë Kombëtare të Kosovës, vendosi ta bëjë në një mënyrë më të veçantë duke organizuar disa aktivitete ndarazi, shkruan zeri.info.

Së pari Xhafa u ndal në Pejë, prej nga edhe e ka prejardhjen. Paraditen e së enjtes atje prezantoi instalacionin “Bazeni me dymbëdhjetë kitara”. Kësisoj ai risolli veprën e tij “Lost and Found”, me të cilën përfaqësoi Kosovën në Bienalen e Venecias. Vepra zgjon kujtimin e të zhdukurve gjatë luftës së Kosovës. Instalacioni paraqet një sportel ku shkruhet “Lost and Found” (E humbur dhe e gjetur). Sportele të tilla gjenden zakonisht nëpër vende të frekuentuara, si aeroportet e ku nëse të humbet diçka mund ta kërkosh aty në rast se dikush e ka gjetur dhe e ka kthyer. Sporteli i Xhafës është i zbrazët. Aty gjendet një telefon, i cili nuk cingëron kurrë. Kjo është simbolika që ai përcjell për fatin e të zhdukurve nga lufta e Kosovës.

Ai erdhi për të prezantuar me një përzgjedhje retrospektive veprash të realizuara gjatë karrierës së tij 20-vjeçare, të ekspozuara në muzetë më të njohur botërorë. Artisti Xhafa u shpreh i lumtur për këtë kthim në vendlindje.

“Për mua ka qenë shumë me rëndësi që ekspozita të jetë inkluzive, por jo ekskluzive. Prishtina ka kapacitet dhe aftësi, Prizreni është i mrekullueshëm, Gjakova po ashtu dhe të gjitha qytet e tjera. Por, Peja është një qytet magjik ku natyra mishëron gjithçka dhe mentaliteti i njerëzve mua më ka sfiduar me kriju diçka magjike në këtë qytet e që të mos jetë vetëm e këtij qyteti por të jetë edhe një mënyrë më globale e perceptimit të artit me natyrë. Pra, kjo është çka mundet me bo arti me natyrën”, theksoi Xhafa para mediave. Më tutje ai shfrytëzoi rastin ta falënderojë drejtoreshën e Galerisë Kombëtare të Kosovës Arta Aganin për përkrahjen.

Kjo ekspozitë vazhdoi pasdite në sallën e Kuvendit të Kosovës, ku u prezantua performanca “Bilbili”. Ansambli i Komunës së Gjakovës me 10 violina, 4 vjola, 4 qello, 1 bas dhe dirigjentin Pëllumb Vula interpretuan me maska të zeza në kokë veprën “Again and again”. Siç tha për gazetën “Zëri” edhe dirigjenti Vula, maska në këtë performancë simbolizoi ngufatjen, kurse heqja e saj lirimin.

“Performanca me maska ishte një përvojë krejt tjetër. Vetë ideja e maskës edhe për atë që e sheh dhe për atë që e vëndon, është ngulfatëse dhe krijon një ankth. Momenti më kulmor ishte ai i heqjes së maskës, kur munda të marrë frymë lirisht. Po besoj që edhe për njerëzit e tjerë në jetën e përditshme heqja e maskës, tregimi i vetvetes do të ishte më e duhura”, theksoi Vula.

Pjesa kryesore e ekspozitës u prezantua në mbrëmje në Galerinë Kombëtare të Kosovës me titullin “Lepuri i bardhë”. Një stallë me lopë e një çadër me rroba të varura janë disa nga elementet e kësaj ekspozite. Para hapjes së saj drejtoresha e GKK-së Arta Agani falënderoi të gjithë ata që ndihmuan realizimin e kësaj ekspozite të Xhafës kurse më shumë për ekspozitën foli kuratori Jérôme Sans.

“Ne kemi menduar me Sislejin për këtë projekt rreth 20 vite. Ne kemi pasur aventura të ndryshme në pjesë të ndryshme të botës por sot ai më ka bërë dhuratën më të bukur kur më ftuan bashkë me Artën për ta bërë këtë ekspozitë në vendlindjen e tij. Kjo ekspozitë siç e kuptoni është një tribut për dashurinë. Kultura është e vetmja gjë që mund ta ndajmë të gjithë kudo që jemi sepse të gjithë jemi me një qiell të përbashkët. ‘Të dua pa e ditur’ është tribut për atë se nga vijmë”, tha Sans duke thënë se figurat kulturore po bëhen heronj në botë.

“Sislej nuk po e bën vetëm një ekspozitë. Kjo është tribut ndaj juve, ndaj vendit, ndaj forcës të cilën ju ja keni dhënë për të qenë ky që është”, theksoi ai.

I lindur në vitin 1970, në Pejë, Sislej Xhafa ka jetuar një ekzistencë nomade që prej largimit nga Kosova në fillim të viteve të ’90-ta. Si një udhëtim introspektiv nëpërmes universit të tij unik, kjo retrospektivë madhore është shprehje e dashurisë së artistit ndaj atdheut – brishtësisë, fuqisë, gjallërisë dhe dhunës së tij. Me qasje ironike dhe subversive, e cila përdor mediume të ndryshme nga piktura dhe vizatimi e deri te skulptura dhe instalacioni Xhafa me subtilitet dhe me konsistencë tërheq vëmendjen për sistemet e padukshme dhe shpesh të padrejta, të cilat i strukturojnë jetët tona.

Kjo ekspozitë e Xhafës në Kosovë u mundësua nga Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit me përkrahjen e Ambasadës Amerikane në Prishtinë dhe të Komunës së Prishtinës. Po ashtu realizimin e ekspozitës e ndihmuan me pjesëmarrjen e tyre Kuvendi i Kosovës, Komuna e Pejës, Ansambli i Komunës së Gjakovës, si dhe kompania ndërtimore “Bavaria”. Zëri