Kultura

Një 'Nobel' alternativ për letërsi

Një 'Nobel' alternativ për letërsi
05 korrik 2018 • 13 : 55

Një grup, i përbërë nga personalitete të njohura kulturore në Suedi, është bashkuar dhe është pajtuar për të dhënë një çmim alternativ të letërsisë për të zëvendësuar çmimin “Nobel në Letërsi” të këtij viti, raporton “Guardian”.

Siç është raportuar më parë, çmimi “Nobel i Letërsisë 2018” u anulua në maj pas raportimeve për ngacmime seksuale, akuza të cilat shkaktuan një seri dorëheqjesh nga anëtarët e jurisë. Akademia Suedeze kishte vendosur që në vend të kësaj të zgjedhë dy laureatët në vitin 2019.

Më shumë se 100 shkrimtarë, aktorë, gazetarë dhe figura kulturore suedeze tani kanë formuar një organizatë të quajtur “Akademia e Re”, e cila planifikon të japë çmimin e vet më vonë këtë vit. Në kontrast me çmimin “Nobel”, i cili kërkon të nderojë shkrimtarin i cili ka kontribuuar me punën më të shquar në një drejtim ideal, shpërblimi i ri do t'i ofrohet një shkrimtari që ka treguar historinë e njerëzve në botë.

“Akademia e Re” ka ftuar bibliotekarët suedezë për të nominuar autorët, të cilët mund të jenë nga kudo në botë dhe duhet të kenë botuar së paku dy libra (një brenda 10 vjetëve të fundit) për t'u kualifikuar. Pas pranimit të nominimeve “Akademia e Re” do të hapë një votim publik për të vendosur mbi katër autorët më të njohur dhe këto do të vendosen përpara një jurie për të vendosur fituesin.

Fituesi do të shpallet në tetor, në përputhje me kohën kur shpallet tradicionalisht “Nobel”-i. “Akademia e Re” do të shpërbëhet në dhjetor, pas një festimi formal për fituesin.

“Me dhënien e këtij çmimi, ne po organizojmë një protestë”, thuhet në një deklaratë të “Akademisë së Re”.

“Ne dëshirojmë t'u tregojmë njerëzve se puna serioze kulturore nuk duhet të ndodhë në një kontekst të gjuhës shtrënguese, të parregullsive ose të abuzimit. Në një kohë kur vlerat njerëzore gjithnjë e më shumë po vihen në pikëpyetje, letërsia bëhet një forcë më e rëndësishme për të ndaluar kulturën e heshtjes dhe të shtypjes. ‘Akademia e Re’ e konsideron këtë gjë aq të rëndësishme, saqë çmimi më i madh i letërsisë në botë duhet të jepet ende në vitin 2018”, theksojnë ata.

Rikujtojmë se nobelisti i fundit i letërsisë është shkrimtari britanik me origjinë nga Japonia Kazuo Ishiguro. Ai u vlerësua nga Akademia Suedeze si një shkrimtar, i cili përmes romaneve që bartin forcë të madhe emocionale ia ka dalë të zbulojë humnerën që ekziston nën ndjesinë tonë iluzive në lidhje me botën.

© zëri.info