Neuropsikiatri Boshnjaku sjell ekspozitën 'Ciklim'

Kultura July 05, 2018 - 13:51

Në ambientet e lokalit “Miqtë Pub” në Prishtinë ka zënë vend një ekspozitë personale e artistit Skender Boshnjaku. Kjo ekspozitë, e cila titullohet “Ciklim”, u hap mbrëmjen e së mërkurës mes miqsh e dashamirësh të autorit Boshnjaku, që është një neuropsikiatër i pasionuar pas artit, shkruan zeri.info.

Ekspozita karakterizohet nga llojllojshmëria e materialeve që Boshnjaku ka zgjedhur për t’i punuar veprat e tij. Vërehet se për kolazhet të cilat i ka krijuar përmes riciklimit ai ka përdorur materiale të ndryshme, siç janë letrat e çokollatave ose mbështjellëse të produkteve të tjera, kuti të duhanit ose të ngjashme, të cilat duket t’i ketë pasur në përdorim. Derisa shumica dërrmuese prej nesh çdo ditë i hedhim këto mbetje në mbeturina, Boshnjaku ndër vite ka gjetur inspirimin dhe durimin t’i mbledhë, t’i përzgjedhë, t’i presë e me to t’i shprehë inspirimet e veta përmes këtij arti.

Një vizitori të kësaj ekspozite lehtë i bien në sy se dimensionet e këtyre kolazheve janë afërsisht 40:60. Në këtë ekspozitë po prezantohen rreth 30 vepra.

 

Publicisti Shkëlzen Maliqi shkruan se punimet që prezantohen në ekspozitën “Ciklim”, e autorit Skender Boshnjaku, janë krijuar me një procedim specifik të riciklimit.

“Informatë e dorës së parë është se këto kolazhe janë krijuar me një procedim specifik të

riciklimit. Boshnjaku i ka bërë ato nga pjesët e materialeve të hedhura, si ambalazhe mallrash: kuti të ndryshme duhani, mbështjellëse çokollatash dhe produktesh tjera për konsum të përditshëm… Ai zgjidhte pjesët e dizajnuara të këtyre paketimeve, ndonjë detal interesant, ornament, shenja karakteristike, ngjyra të veçanta etj., i priste ato dhe i vendoste në kompozicionet abstrakte gjeometrike duke shfrytëzuar, gjatë kombinimit të tyre, sa atraktivitetin e vet motiveve grafike të gjetura si lëndë e parë, por edhe imagjinatën dhe shijen mjaft të hollë të tij prej krijuesi. Duke i bërë fillimisht nga hedhurinat që i gjente në shtëpi, më vonë ai gati çdo ditë shkonte në ‘gjah’ jashtë

shtëpisë, te dyqanet që hidhnin ambalazhe, rreth kazanëve me plehra, etj. Kjo për faktin se për përfundimin e shumë kolazheve nuk siguronte lehtë ‘lëndën e parë’. Disa ambalazhe produktesh vendore i kishte me bollëk në tregun kosovar (kuti cigaresh, mbështjellëse llokumesh, etj.), por shpesh ‘vuante’ për t’i gjetur në sasi të mjaftueshme të atyre mallrave që tregu kosovar i sillte në seri të vogla. Këto ‘mungesa’ specifike kushtëzonin që një pjesë e kolazheve mbetej e papërfunduar derisa nuk sigurohej motivi i munguar. Dhe Boshnjaku nuk dorëzohej, me ngulm i kërkonte ato, gjë që e detyronte të luante rolin e tuafit. Njerëzit çuditeshin me kërkesat e tij, ngase nuk e kuptonin fare se përse ai kërkon, p.sh. kuti hurmash ose të rrushit të thatë të importuara nga Irani ose nga Turqia”, tregon Maliqi.

Tutje Maliqi shkruan se kolazhet e Boshnjakut janë një metaforë e kërkimit të arsyes dhe racionalitetit.

“Kolazhet e Boshnjakut, mënyra se si i ka punuar mendoj se është një metaforë komplekse e kërkimit të arsyes dhe racionalitetit e jo më pak edhe të harmonisë dhe të të bukurës në raportet ekzistuese sociale ku disa kategori të individëve më sensitivë ose të atyre të pafat dhe të damkosur nga vrazhdësia e kushteve të jetës ndihen të përjashtuar nga shoqëria ose edhe çmenden. Të kërkosh harmoni, racionalitet, bukuri abstrakte e ritmike etj. në hedhurina ‘plehra’, por edhe ndër shpirtra të humbur të njerëzve të pafat për Boshnjakun nuk është punë e pashpresë. Sa i përket vlerësimit estetik të kolazheve të Boshnjakut, ato gjithsesi janë edhe art dhe kanë vlera të padyshimta, por për këtë rezervohem që t’i analizoj një herë tjetër, pasi të shoh më shumë punë nga ky thesar i çmuar i sapozbuluar”, thekson ai.

Rikujtojmë se autori i kësaj ekspozite Skënder Boshnjaku është neuropsikiatër me profesion edhe themelues i Klinikës së Neuropsikiatrisë në Kosovë. Ai është edhe profesor në Universitetin e Prishtinës. Zëri